Ndërlidhjet

Insistojnë në protesta


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Me gjithë zhbllokimin e rrugës në fshatin Zupq të Komunës së Zubin-Potokut, serbët kanë mbajtur një protestë kundër arrestimit të Jevri Panteliqit, ndërsa të tilla kanë paralajmëruar edhe në ditët në vijim.

Arrestimi i serbit nga ana e EULEX-i thuhet se ka ardhur si rezultat i hetimeve të kryera rreth krimit të organizuar, shmangies së tatimit dhe shmangies mashtruese të taksave të importit dhe akcizës.

Por, Millan Ivanoviq, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të veriut, i quan të rreme akuzat e EULEX-it kundër biznesmenëve serbë.

“Ata janë fajtorë vetëm se nuk duan të paguajnë tatim në buxhetin e Thaçit. Por, ne nuk i njohim ato institucione e as atë buxhet. Andaj, mendojmë se është një reagim normal, i cili ka mbështetjen e të gjithë serbëve të veriut dhe të institucioneve tona lokale”, thotë Ivanoviq, për të shtuar se arrestimi në fjalë ka të bëjë me motive politike.
EULEX-i të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244, në përputhje me drejtësinë e jo politikën.

Ai u bën thirrje organeve të EULEX-it të mos favorizojnë institucionet e Kosovës, në dëm të serbëve.

“Ne duam që EULEX-i të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244, në përputhje me drejtësinë dhe jo politikën. EULEX-i po paraqitet si mbrojtës i interesave të shqiptarëve”, thotë Ivanoviq.

Zyrtarë të lartë të misionit evropian kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të vazhduar arrestimet e personave të përfshirë në krim të organizuar e korrupsion në veri të Kosovës, pavarësisht protestave të serbëve lokalë.

Ata kanë kërkuar që puna e EULEX-it të mos gjykohet në bazë të numrit të arrestimeve të figurave të larta, që dyshohet të jenë të përfshira në krim të organizuar e afera korruptive.

Serbët në veri kanë protestuar sot duke marshuar me vetura në qendër të komunës së Zubin Potokut.

Policia e Kosovës
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, thotë se protesta është përcjellë nga afër nga autoritetet e rendit dhe se ajo ka kaluar pa ndonjë incident.

“Protesta është shënuar në një formë tjetër, pra me parakalimin e së paku 20 automjeteve në qendër të Zubin Potokut. Protestuesit më pas i janë drejtuar stacionit policor në Zubin Potok, ku kanë kërkuar që të bisedojnë me një përfaqësues të komponentit të EULEX-it”.

“Organizatori i protestës i ka dhënë një letër, të adresuar EULEX-it, duke shprehur kundërshtimin me veprimet e EULEX-it gjatë arrestimit të dy javëve me parë në atë komunë”,
sqaron Hoti.

Banorë serbë dhe tregtarë, për 15 ditë me radhë, kanë mbajtur të bllokuar rrugën në fshatin Zupq të Komunës së Zubin Potokut, e cila u zhbllokua të enjten, duke i lënë të lirë qytetarët të kalojnë në atë pjesë të vendit.
XS
SM
MD
LG