Ndërlidhjet

Gërxhaliu: Komisioni bën aq sa ka hapësirë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Komisioni ynë është ndërruar varësisht prej ndërrimit të qeverive, politikave dhe grupimeve politike, që është gabim i madh, tha për Radion Evropa e Lirë, Arsim Gërxhaliu, drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gërxhaliu, çfarë po ndodh me mbetjet e paidentifikuara mortore, që ndodhen në Institutin e Mjekësisë Ligjore?

ARSIM GËRXHALIU
Analizat e ADN-së janë ripërsëritur disa herë, do të thotë janë dërguar dhjetëra herë analizat, mostrat e pjesëve kockore në Komitetin Ndërkombëtar për Persona të Pagjetur. Tashmë janë kthyer shumica e analizave dhe pritet që edhe pjesët tjera të rikthehen.

Në fakt, nga ato 400 mbetje mortore që kemi pasur më herët, tani, pas arritjes së analizave janë ribashkuar shumica e pjesëve, sepse kanë qenë pjesë të të njëjtit trup, por të ndara, kështu që numri i individëve ka rënë në 250 përafërsisht.

Më e vështira e kësaj çështjeje është se kjo pjesë e mbetur nuk konsiston me donorët e gjakut familjar që e kanë dhënë gjakun për t’u bërë konsistimi.

Ne i rikthehemi në mënyrë retrograde pjesës së kaluar para 12 vjetësh, kur 2 - 3 vjetët e para kemi rreth 2019 familje, të cilat i kanë varrosur të afërmit e tyre pa kurrfarë analize të ADN-së.

Njëkohësisht, në këtë grupim tani mund të shtohen edhe disa gjëra tjera që nga eksperienca dalin se nuk kanë qenë korrekte duke filluar nga fshati Studime në Vushtrri, ku është një varrezë masive, me rreth 107 persona që janë vrarë brenda një ore, dhe se pas luftës menjëherë janë varrosur nga lokalët dhe pastaj janë hapur nga ekipet e Tribunalit të Hagës.

Në atë kohë, ekipet e Tribunalit të Hagës kanë qenë shumë të kufizuara dhe të mbyllura për pjesëtarë të tjerë dhe zakonisht kanë marrë nga një kujdestar fshati, i cili iu ka ndihmuar kinse për identifikim. Ne e dimë nga aspekti profesional se identifikimi përmes pamjes vizuale është asgjë, pra kemi të bëjmë me gabime në identifikim, me gabime në varrosje. Kjo çështje nuk akceptohet nga ne dhe të gjitha këto raste duhet të identifikohen me analizë të ADN-së.

Po e marr shembull fshatin Studime si rasti i fundit, i cili në momentin kur i kemi hapur varrezat, e kemi parë se ata kanë qenë të varrosur në formë kanali dhe jo sipas traditave që i kemi ne. Kështu ka ndodhur që në një varrezë të na dalin këmbët e njërit person, kurse koka e personit tjetër, njëra varrezë të jetë e zbrazët, e në tjetrën kanë dalë madje deri nga tre persona të varrosur.

Mund të them lirisht se nuk dihet çka, në fakt, është bërë dhe është më se e domosdoshme të hapen këto vende dhe të bëhet identifikimi i tyre me analiza të ADN-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni deklaruar kohë më parë që një nga pengesat në mosidentifikimin e mbetjeve mortore është edhe EULEX-i. Pse?

ARSIM GËRXHALIU
Para së gjithash, më herët e kam deklaruar këtë, sepse në Ligjin për themelimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore, nuk ceket për ndonjë ekzekutiv të EULEX-it, kurse në raportet e tyre dhe më pas me ish-shkresat tjera, EULEX-i mban ekskluzivitetin e këtyre rasteve.

Në atë kohë reagimi im ka qenë lidhur me këto çështje. Por, ndërkohë ka ardhur deri te përmirësimi i raportimeve, sepse raportimet kanë qenë më të mangëta dhe tani kemi raportime, paraqitje të varrezave dhe planifikim të tyre në terren. Normalisht që në disa raste, të cilat janë më të ndjeshme, ne fare nuk kemi qasje, pra thjesht EULEX-i mban ekskluzivitetin për rastet e luftës.
RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë këto raste më të ndjeshme?

ARSIM GËRXHALIU
Unë nuk kam dijeni se cilat janë, sepse në to punohet me kode.

RADIO EVROPA E LIRË
Rreth 1800 persona konsiderohen ende të zhdukur. Si e shihni punët e Komisionit Qeveritar për të pagjeturit. A po bëhet sa duhet në këtë drejtim?

ARSIM GËRXHALIU
E tërë kjo periudhë lidhet me vitin 1999 e deri më tani, dhe tashmë kemi filluar t’i numërojmë vitet, bëhet viti i 12, unë kthehem në retrospektivë dhe them kritikat e mia se komisioni ynë është ndërruar varësisht prej ndërrimi të qeverive, politikave dhe grupimeve politike, që është një gabim i madh të përzihet në aspektin profesional të kësaj çështjeje - Komisioni Qeveritar bën aq sa i është lënë hapësirë.

Ky komision duhet të ndihmohet më shumë se sa që është ndihmuar deri më tani dhe duhet të mbështetet edhe në krijimin e kuadrove. Pra, e tërë kjo duhet të mbështetet, në njërën anë, në gjetjen e informacioneve për varrezat masive dhe, në anën tjetër, të bëhet reproduktimi i asaj se çfarë është punuar nga ’99 e deri më sot.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se në Kosovë gjenden varreza masive?

ARSIM GËRXHALIU
Nuk e përjashtoj mundësinë që edhe në Kosovë të gjenden, por jo të karakterit masiv - mund të jenë vetanake ose me numër më të vogël të personave, kurse ato masive unë pres të ndodhen në Serbi, siç edhe kemi informacione.

Po punohet në lokalizimin e vendit të saktë të varrezave. Ne çdo herë kemi thënë dhe gjithmonë kemi kërkuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të bëhet trysni mbi Serbinë se ajo është adresa për gjetjen e informacioneve, sepse Serbia si shtet i organizuar luftarako-policor është shteti që e di dhe çdo gjë e ka bërë me proces.

Prandaj, gjithnjë insistojmë që të jepen informacionet për këto çështje, siç kemi qenë transparentë kur ata kanë dorëzuar shumë informacione edhe për Kosovë, dhe ne çdo herë kemi shkuar t’i punojmë dhe t’i hapim, pa marrë parasysh se kush është në këto varreza.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se gjatë dialogut Prishtinë-Beograd, mund të arrihet ndonjë rezultat në çështjen e të pagjeturve?

ARSIM GËRXHALIU
Nuk e di, sepse ne ende s’kemi pasur ndonjë takim në Bruksel. Jemi përgatitur në këtë aspekt në të gjitha format, presim njoftimin e udhëheqëses së palës kosovare, zonjës Edita Tahiri. Unë besoj se këtë herë do të jemi më kompakt, më të fuqishëm, dhe kërkesat tona do të jenë shumë më të fuqishme dhe para së gjithash jam disi më optimist me vetë faktin se këto kërkesa tonat do të thuhen në Bruksel.
XS
SM
MD
LG