Ndërlidhjet

Opinione të ndryshme për vendimin e KZ-së


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Një ditë nga vendimmarrja në Kolegjin Zgjedhor, që i ka hapur rrugën fitores së kandidatit të Partisë Demokratike për Tiranën, Lulëzim Basha, analisti Artan Hoxha thotë se ky vendim ishte i pritshëm, logjik dhe i paqortueshëm.

Sipas Hoxha, Partia Socialiste nuk kishte asnjë argument të ligjshëm për të kërkuar pavlefshmërinë absolute të vendimit 709 të datës 23 maj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në fjalë të fundit shpalltë Lulzim Bashën me 81 vota më shumë se kandidatin e Partisë socialiste për tiranën, Edi Rama.

Ja si e argumenton ai këtë qëndrim:

Një akt, në të cilin nuk gjendet emri i institucionit që e ka lëshuar, stema e tij dhe firma e drejtuesit, është një akt absolutisht i pavlefshëm dhe këto janë rastet e pavlefshmërisë absolute. Akti i KQZ-së nuk ka si të jetë një akt absolutisht i pavlefshëm, ndaj dhe Kolegji Zgjedhor s’kishte si të jepte tjetër vendim, përveç rrëzimit të kërkesës për pavlefshmëri absolute të vendimit 709 të KQZ-së”.

Analisti Ermal Hasimja thotë se deri te vendimmarrja e Kolegjit Zgjedhor, të gjitha opsionet ishin të hapura. Madje, siç thotë ai, shanset ishin të mëdha dhe për një përsëritje të zgjedhjeve në Tiranë.

“E prisja po aq sa çdo lloj forme tjetër verdikti, sepse të gjitha mundësitë ishin të hapura - qoftë ajo në favor të njërit kandidat apo tjetrit, madje pse jo disa edhe prisnin, domethënë kishte një lloj pritshmërie që mund të merrej një lloj vendimi, i cili do t’i hapte rrugën përsëritjes së zgjedhjeve. Në parim gjithçka ishte e mundur”, thotë Hasimja.

Beteja për Tiranën nuk është mbyllur ende. Në Kolegj sërish pritet të përballen të tjera ankesa të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Por, me shumë gjasë, fitorja e zotit Basha në Tiranë, nuk do të ndryshojë. Analistët gjykojnë qëndrimin e opozitës pas kësaj, lidhur dhe nga një deklarim i hershem i zotit Rama se nuk njeh asnjë vendimmarrje veç asaj që e shpall fitues.

Analisti Hoxha thotë se opozita ka rastin të tregojë se di të jetë konstruktive.

“Në qoftë se zoti Rama do të shprehë pakënaqësinë për vendimin e Kolegjit Zgjedhor, nëse nuk e quan atë të drejtë, kjo mbetet një nga sjelljet normale të çdo pale kur merr një vendim gjykate që nuk është në favor të saj dhe këtu s’kemi asnjë problem”.

“E rëndësishme është nëse mosnjohja e vendimeve të Kolegjit Zgjedhor pasohet me akte mosnjohjeje, me veprime mosnjohjeje - këto do të ishin shkatërruese për opozitën. Mendoj që është momenti i një reflektimi nga ana e liderit Rama dhe opozitës. Deri në vitin 2013 ka kohë për të rifilluar një në opozitarizëm të ri konstruktivit”
, vlerëson Hoxha.

Ndërkaq analisti Hasimja shpreh besimin se opozita do të luajë rol konstruktiv, pavarësisht se ka krijuar idenë në publik, se do të jetë e vështirë të gëlltitet humbja në Tiranë.

“Një shenjë pozitive që opozita gjithsesi është se, pavarësisht tundimit të parë për ta zgjidhur çështjen në rrugë, i ndoqi hapat ligjorë - kjo më duket shumë pozitive dhe mendoj që është për t’u lavdëruar tek opozita shqiptare, sepse është një hap përpara në raport me përvojat e mëparshme. Unë shpresoj që të vazhdohet në të njëjtën frymë, sepse do të ishte një kontribut vërtet shumë i rëndësishëm për qetësimin e situatës”, shprehet Hasimja.

Analistët kanë folur më herët edhe për ndikimin që mund të ketë humbja në Tiranë e Edi Ramës në një kohë kur ai drejton dhe PS-në.

Ndryshe shprehen analistët Hoxha dhe Hasimja, sipas të cilëve kjo pozitë nuk do t’i dëmtohet aspak. Sipas Hoxhës, kryesocialisti lirohet nga një barrë e rënde, duke mbajtur njëkohesisht dy pozicione të rëndësishme. Barrë nga e cila, siç thotë ai, duhet të ishte liruar që në 2009-n, duke kandiduar si deputet.

“Zoti Rama nuk u vetëlirua nga pozicioni i kryetarit të bashkisë - kjo gjë e mbajti atë në konfliktin e interesave lider opozite apo kryetar bashkie dhe në vend që këto dy pozicione të ndihmonin njëri-tjetrit ato veçse e penguan njëri-tjetrin. Tashmë votuesit e Tiranës me pak vota ia hoqën këtë dilemë. Shpresoj që rolin e tij tashmë të vetëm si lider i opozitës, ta kryejë më së miri”, thekson Hoxha.

Edhe analisti Hasimja pohon se pozitat e Edi Ramës në funksionin e kryetarit të partisë nuk kanë arsye të dëmtohen në kushtet e një fitoreje të ngushtë.

“Nga pikëpamja logjike zoti Rama nuk është se ka humbur në raport me zgjedhjet e mëparshme, domethënë votat që ka marrë, janë relativisht stabile, po të kemi parasysh që ka kaluar LSI-ja nga njëri krah në tjetrin. Ajo çfarë do të ishte problem, do të ishte vetëm përdorimi që do të mund t’i bëhej kësaj humbjeje, fitore si e Pirros në fakt nga ana e zotit Basha, interpretimi që do të mund t’i bëhej nga brenda PS-së, nga ata që do të ishin kundër zotit Rama”.

“Zoti Rama e ka pasur gjithmonë aftësinë që ta interpretojë situatën në favor të vetin dhe ta rreshtojë gjithë PS-në pas interpretimit që ai ka dashur t’u bëjë gjërave”
, pohon Hasimja.
XS
SM
MD
LG