Ndërlidhjet

Maqedonia voton


Maqedoni, 05 qershor 2011

Maqedoni, 05 qershor 2011

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve deri në orën 10 në nivel të Republikës, kanë votuar 14.02 për qind.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko, tha se deri në këtë moment nuk janë regjistruar incidente dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë demokratike.

Dalje më e madhe e votuesve është regjistruar në njësinë e tretë zgjedhore, gjithsej në votime kanë dalë 18.81 për qind, ndërsa më së paku në njësinë e gjashtë zgjedhore të banuar kryesisht me popullatë shqiptare, ku kanë votuar gjithsej 7.90 për qind.

Ndryshe nga KSHZ-ja, asociacioni qytetar “MOST”, që ka numrin më të madh të vëzhguesve, ka raportuar për disa parregullsi të vogla, por të natyrës teknike, për mos hapjen me kohë të disa vendvotimeve.


***

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoni bëri të ditur se të 2,976 vendvotimet e shpërndara në gjashtë njësi zgjedhore, janë hapur me kohë dhe se procesi zgjedhor po zhvillohet pa pengesa.

Të drejtë vote kanë 1.821.122 qytetarë, të cilët mund të votojnë për kandidatët e 18 subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Për herë të parë tre deputetë do të zgjidhen nga diaspora, një nga Evropa, një nga Amerika dhe Kanadaja dhe deputeti i tretë nga Australia. Votimi në diasporë është realizuar gjatë ditës së shtunë.

Në krahasim me zgjedhjet e deritashme, mund të them se te pala shqiptare kemi pasur një fushatë evropiane ...

Fushata elektorale 20 ditëshe ka kaluar e qetë, në veçanti në bllokun politik shqiptar, ku për herë të parë që nga vendosja e pluralizmit nuk është regjistruar as edhe një incident. Përveç partive politike, vlerësimet e këtilla i ndajnë edhe analistët politikë, të cilët shpresojnë se edhe procesi i sotëm zgjedhor do të zhvillohet më mënyrë të qetë dhe demokratike.

“ Në krahasim me zgjedhjet e deritashme, mund të them se te pala shqiptare kemi pasur një fushatë evropiane dhe uroj që edhe përmbyllja e këtij procesi të jetë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër, te pala maqedonase kemi pasur fushatë me fyerje dhe me individualizime shumë të mëdha, kemi pasur një fushatë shumë negative edhe nëpër media”, thotë analisti Albert Musliu.

Edhe Biljana Vankovska thotë se kësaj radhe partitë shqiptare janë treguar më të vëmendshme gjatë fushatës zgjedhore, duke evituar incidentet dhe duke lënë për të kuptuar se pas zgjedhjeve mund të ketë edhe koalicione mes tyre.

Ndërsa, sa i përket fushatës te partitë maqedonase, ajo, sipas Vankovskës, për herë të parë është shoqëruar me incidente dhe tensione të papara. Vankovska thotë se nga zgjedhjet e sotme nuk pret asgjë spektakulare, përveç obligimit të partive “për të dhënë llogari për paratë e shumta që shpenzuan për këtë cirk të panevojshëm”, siç i cilëson ajo zgjedhjet e parakohshme.

...negociatat për formimi e qeverisë së re nuk do ta kenë prioritet të ardhmen, por ndarjen e pushtetit, ndarjen e posteve, pra të mirat që ofron të qenët në pushtet.

“ Nuk kanë ofertë, nuk kanë program të qartë apo vizion, madje edhe nëse ka diçka , do të dështojë në testin e parë të formimit të qeverisë, pasi negociatat për formimi e qeverisë së re nuk do ta kenë prioritet të ardhmen, por ndarjen e pushtetit, ndarjen e posteve, pra të mirat që ofron të qenët në pushtet”, thekson Vankovska.

Por, ndryshe prej saj, Albet Musliu beson se kabineti i ri qeveritar që do të dalë nga zgjedhjet e sotme, për prioritet do të ketë zgjidhjen e kontestit kryesor, atë të emrit me Greqinë.

“ Me vetë faktin se Maqedonia ka ngecje në proceset euro-integruese, si dhe ngecje në disa sfera tjera të jetës shoqërore, ky ishte edhe shkaku përse këto zgjedhje u shpallën si zgjedhje të parakohshme. Uroj se kombinimet e reja politike, qeveria e re, të mbledhë fuqinë që këto probleme t’i tejkalojë”, shprehet Musliu.

Procesi zgjedhor organizohet nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, i cili për herë të parë rezultatet do t’i publikojë drejtpërdrejtë në faqen e internetit. Rezultatet do të publikohen ashtu siç do të arrijnë nga komisionet komunale zgjedhore. Kjo, sipas KSHZ-së, do t’u mundësojë qytetarëve që nga afër të përcjellin grumbullimin e votave.

Ndryshe, zgjedhjet e sotme të parakohshme parlamentare në Maqedoni po monitorohen nga më shumë 3500 vëzhgues vendorë, kryesisht të asociacionit qytetar “Most”, dhe 300 të misionit vëzhgues të OSBE/ODHIR-it.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhore, Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë masa të posaçme duke angazhuar 7 mijë forca policore.

Ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, ka thënë se policia do të jetë e pamëshirshme ndaj çdo personi që tenton të prishë procesin e sotëm zgjedhor, ndërkohë me ndryshimet e reja në Kodin Penal, personat që pengojnë qytetarët të realizojnë të drejtën në votimit, në çfarëdo qoftë mënyre, apo që dëmtojnë këtë proces, dënohen deri me 5 vjet burg.

Procesi i votimit mbyllet në orën 19.00.
XS
SM
MD
LG