Ndërlidhjet

Shija e hidhur e çokollatës së Mlladiqit


Ratko Mlladiq më 1995 me Izudin Aliq

Ratko Mlladiq më 1995 me Izudin Aliq

Sadik Salimoviq

Masakra e Srebrenicës, në të cilën ishin ekzekutuar mbi 7 mijë meshkuj myslimanë boshnjakë, mbetet masakra më e madhe që ka ndodhur pas Luftës së Dytë Botërore. Por, ndër të mbijetuarit e kësaj masakre është Izudin Aliq nga fshati Prohiqi afër Srebrenicës. Ai rrëfen për ngjarjen që ndodhi 16 vjet më parë. Ai i kishte pasur vetëm 12 vjet kur e kishte takuar gjeneralin serb, Ratko Mlladiq, të cilin e quan përgjegjës, për, siç thotë ai, gjenocidin mbi boshnjakët myslimanë.



Izudin Aliq nga fshati Prohiqi afër Srebrenicës, më 11 korrik të vitit 1995, ka qenë në Potoqare, ku pas rënies së Srebrenicës kishin mbetur mijëra fëmijë dhe gra.

Asokohe, gjenerali Ratko Mlladiq, i ishte ofruar djaloshit 12-vjeçar dhe e kishte pyetur për emrin dhe ditëlindjen e tij. Izudini e kujton atë ngjarje pa dëshirë. Atë ditë ai ishte ndarë nga babai, të cilin më kurrë nuk e kishte parë.

Ditën e parë, këtu në Potoqare, kisha ardhur me nënën, gjyshin, si dhe me dy vëllezërit dhe motrën. Kemi qenë në Potoqare dhe gjyshi kishte gjetur pak kashtë që ta kalonim natën në sallat e këtushme. Unë shkoja me fëmijët dhe këtu shpërndanin çokollata. Një njeri më dha një çokollatë dhe ma përkëdheli fytyrën, por unë nuk e njihja atë. Më pyeti se si quhem. Unë i thashë se quhem Izudin dhe ai më dha çokollatën, të cilën unë e hëngra, si fëmijë që isha. Asgjë nuk kam ditur”, tregon Izudini.
Izudin Aliq lutet para memorialit me emrat e të vrarëve në masakrën e Srebrenicës, në mesin e të cilëve është edhe babai i tij...

Më vonë, kur Izudini ishte rritur, e kishte kuptuar se kush në të vërtetë është gjenerali Mlladiq – njeriu i cili është përgjegjës për vdekjen e babait, kushërinjve, miqve dhe fqinjëve të tij.

“Ai, me siguri se do të thotë se nuk e ka bërë këtë. Edhe në Hagë do të thotë kështu, por ai e ka bërë atë gjenocid. Ai e ka bërë atë masakër në Srebrenicë dhe duhet të japë përgjegjësi në Hagë dhe atje ta dënojnë”, thotë Izudin Aliq.

Izudini dhe familja e tij nga Potoqare ishin bartur për në Klladanj. Me vjet të tëra ai kishte banuar në kushte të rënda, në qendrat kolektive në rrethinën e Tuzllës. Tashmë ai është kthyer në fshatin e tij. Nuk ka punësim të qëndrueshëm, por herë pas here punon si punëtor fizik në ndërtimtari.

“Sot ka mjaft të tillë që mohojnë se ka pasur gjenocid. Ja, ju mund ta shikoni sa myslimanë ka këtu, boshnjakë, të varrosur në varreza masive në Potoqare. Ndërkaq, disa thonë se nuk ka pasur gjenocid. Por, një gjë e tillë ka ndodhur. Ja ku shihen edhe shenjat. Mund të vërehet e tëra, se nuk ka më këtu njerëz nga populli ynë, fshatrat janë të zbrazura, nuk ka më as fqinj”, rrëfen Izudini.

Ai konsideron se Mlladiqi duhet ta marrë dënimin e merituar për gjithçka që ka bërë dhe që është përgjegjës.

“Megjithatë, Tribunali i Hagës, gjyqi, do t’ia shqiptojë dënimin. Duhet të dënohet. Ai tash thotë se nuk ka bërë gjenocid, por ai e ka bërë këtë. Unë do ta dënoja me burgim të përjetshëm. Do të thotë, deri sa të jetë gjallë, të mbetet atje në Hagë”, shprehet Izudini.

Ai shpesh herë shkon në Qendrën Memoriale në Potoqare dhe lutet duke kënduar duanë Fatiha, për babanë e tij dhe për të gjithë ata që janë të varrosur aty.

“Këtu ka ndodhur gjenocidi dhe shikoni sa boshnjakë janë të varrosur këtu. Nuk dua assesi ta kujtoj atë ditë kur u bë gjenocidi. Ndoshta edhe unë kam mundur të jem në këtë mes, por fati deshi që të mbetem gjallë. E falënderoj Zotin për këtë!”, përfundon rrëfimin e tij Izudin Aliq.(b.b.)

XS
SM
MD
LG