Ndërlidhjet

Pritjet e qytetarëve


Votimet në Maqedoni, 05 qershor.
Votimet në Maqedoni, 05 qershor.
Procesi zgjedhor po zhvillohet në atmosferë të qetë dhe demokratike, thanë drejtuesit e disa vendvotimeve në Shkup.

Teuta Ramadani, drejtuese e njërit nga vendvotimet në njësinë e parë zgjedhore, tha:

“Jo nuk kemi pasur ankesa, nuk ka ndodhur asnjë problem deri më tani, pra gjithçka sa i përket procesit zgjedhor rrjedh pa kurrfarë problemi”.

Edhe Zylbear Zylberi, drejtues i vendvotimit në njësinë e gjashtë zgjedhore që përfshin Tetovën dhe zonat tjera të banuara me shqiptarë, pohoi se procesi votues po zhvillohet në mënyrë korrekte.

“Shpresojmë që procesi i zgjedhjeve të vazhdojë të zhvillohet me rregull deri në mbrëmje. Deri më tani gjithçka realizohet sipas parashikimeve, s’ka pasur asnjë problem”, u shpreh Zylberi.

Të njëjtin vlerësim dha edhe Fari Ramadani, po ashtu, drejtues vendvotimi në Tetovë:

“Saktësisht në orën shtatë ka filluar votimi dhe gjithçka po realizohet pa asnjë problem. Deri më tani qendrën e votimit këtu e kanë vizituar vëzhguesit e OSBE-se dhe kryetari komunal i KSHZ-së”.

Ndërkaq qytetarët e Maqedonisë nga zgjedhjet e sotme parlamentare presin para së gjithash përmirësimin e standardit të tyre jetësor, hapjen e vendeve të reja të punës dhe uljen e varfërisë.

Besim Sejdiu tha se prioritet për subjektet politike që do ta marrin besimin në këto zgjidhje, do të jetë luftimi i papunësisë së madhe që mbretëron në Maqedoni:

“Presim punësime të reja për rininë shqiptare vetëm ajo, tjerat në rregull janë”.

Edhe një banore shqiptare e Shkupit tha se pret zhvillime pozitive pas zgjedhjeve:

“Presim mirë diçka, shpresojmë për të mirë sa do të realizohet, uroj që deri në fund ky votim të kryhet me sukses”.

Por, ndryshe prej saj u shpreh Faik Selmani. Ai tha se nga këto zgjedhje nuk duhet pritur shumë për shkak të gjendjes së vështirë, në të cilën ndodhet vendi.

“Është zhytur shumë Maqedonia, ka hyrë në baltë shumë, vështirë të dalë prej balte... Nevojitet shumë kohë, cilësdo parti që vjen, do t’i duhet kohë për të pasur sukses”, tha Selmani

Edhe votuesit maqedonas thanë se nga zgjedhjet e sotme presin hapje të vendeve të reja të punës.

"Ne presim të na rriten rrogat, të rritet standardi, pra të ketë punësime”, tha një e moshuar e etnitetit maqedonas. Edhe Sllavço Trenevski pohoi se partia që merr besimin e qytetarëve duhet të angazhohet për hapjen e vendeve të punës:

“Së pari duhet të hapen fabrikat që të mund të punësohet rinia, e shihni se shumë të rinj nuk martohen, pasi nuk kanë se si të mbijetojnë, gjendja e tashme nuk të ofron jetë”.

Lubomir Dimitrov tha se Maqedonia do ta ketë të vështirë integrimin nëse partitë nuk angazhohen për nxjerrjen e vendit nga kriza.

“Punësimet dhe ekonomike duhet të jenë prioritet. Derisa nuk zgjidhen këto probleme, do të jetë e vështirë, pasi Evropa nuk të do me duar bosh”, u shpreh Dimitrov.
XS
SM
MD
LG