Ndërlidhjet

KSHZ: Dalje masive në zgjedhje


Votimet në Maqedoni
Votimet në Maqedoni

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ne orën 19 janë mbyllur vendvotimet për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Maqedonisë.

Ky Komision thotë se ka pasur dalje masive në zgjedhjet e sotme.

Kreu i këtij Komision, Boris Kondarko, e ka vlerësuar procesin si demokratik.

Ai ka thënë se nuk ka pasur nga ankesa nga subjektet politike.

Kodnarko, ka thënë se ka pasur disa shkelje të vogla, por që nuk do të ndikojnë në procesin e gjithmbarshëm.

Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, deri në orën 17 në votime kanë dalë, 53.86 % e votuesve të regjistruar në listën e përgjithshme zgjedhore.

Kjo pjesëmarrje në votime ka tejkaluar edhe zgjedhjet e vitit 2002 kur ishte regjistruar dalja më e madhe në votime.

Nga gjashtë njësitë zgjedhore, pjesëmarrje më të lartë ka në njësinë e tretë me gjithsej 61.23 % ndërsa më e ulët mbetet pjesëmarrja në zonat e banuara me shqiptarë, përkatësisht në njësinë e gjashtë me 42.28%.

Kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko tha se procesi zgjedhor po zhvillohet në mënyrë korrekte dhe se deri më tani nuk është paraqitur asnjë ankesë për për parregullsi që do të dëmtonin procesin zgjedhor. (i.k)


***

Komisioni Shtetëror Zgjedhor bëri të ditur se procesi zgjedhor në Maqedoni po zhvillohet pa probleme, ndërkohë që në të gjitha pikat e votimit, të cilat janë hapur në orën shtatë të mëngjesit, qytetarët janë duke votuar lirshëm.

“Jehona e votuesve deri në orën 13 është 35,8 për qind, që është më e lartë krahasuar me zgjedhjet e fundit, që ka qenë rreth 28 për qind. Në njësinë e parë është 39,10 për qind, në të dytën 31,89 për qind, në të tretën 40,82 për qind, në të katërtën 37,20 për qind, në të pestën 34,93 për qind, si dhe në të gjashtën 27,60 për qind”, bëri të ditur kryetari i KSHZ-së, Boris Kondarko.

Ai theksoi se procesi zgjedhor po ecën pa probleme dhe parregullsi, pos ca problemeve të vogla teknike, të cilat janë shmangur për pak minuta.

Zgjedhjet po zhvillohen në një atmosferë krejtësisht të qetë, në të gjitha zonat e banuara me shqiptarë, tha Bedredin Ibrahimi, anëtar i KSHZ-së.

Ibrahimi shtoi se për të, forcat e shtuara policore kryesisht në vendvotimet me shumicë shqiptare, kanë ndikuar në jehonën e ulët të votuesve kryesisht në njësinë 6, që përfshin Tetovën Gostivarin dhe Dibrën.

“Është brengosës fakti se sikur nga një sustë e shtypur kryesisht në vendvotimet shqiptare, vërshuan forcat policore, që, sipas meje, si anëtar i KSHZ-së, ndikon negativisht në shprehjen e lirë të vullnetit të qytetarëve të Maqedonisë. Se përse ndodh kjo, nuk kam informatë. Por, ne, si KSHZ, jemi duke e ndjekur situatën dhe pasi të kemi informacionin kthyes, do të marrim qëndrim konkret lidhur me këtë dukuri”, u shpreh Ibrahimi.

Ndërkohë, organizata qytetare “MOST”, e cila e ndjek procesin zgjedhor me 3 mijë e 700 vëzhgues, njoftoi për një varg parregullsish në shumë pika votimi, si fotografim i fletëvotimeve, agjitim dhe votim grupor.

”Vëzhguesit tanë kanë regjistruar votim grupor familjar, si dhe vëzhgues partiakë, të cilët në kundërshtim me ligjin, kanë fotografuar votuesit se kë e votojnë, duke thyer kështu ligjin”, theksoi Darko Aleksov, kryetar i asociacionit qytetar “MOST”.

Ndërkaq, drejtori i misionit të OSBE/ODIHR-it për vëzhgimin e zgjedhjeve, Janez Lenarçiq, deklaroi se procesi i votimit në Maqedoni deri tani po rrjedh pa probleme.

"Deri tani votimet po zhvillohen pa probleme, mirëpo duhet të presim fundin", deklaroi Lenarçiç, gjatë vizitës së një vendvotimi në njësinë zgjedhore numër një në Shkup.

Ai theksoi se vëzhguesit e këtij misioni nëpër tërë vendin po vëzhgojnë votimet dhe numërimin e votave.

Ndryshe, ambasadorët e SHBA-së dhe BE-së në Shkup, Filip Riker dhe Piter Sorensen, të cilët vizituan disa vendvotime në njësinë zgjedhore gjashtë që përfshin Tetovën, Gostivarin dhe Dibrën, paraprakisht u bënë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të mos frikësohen për të votuar sipas bindjeve të tyre, pasi që, sipas tyre, votimi është i fshehtë.

Edhe ambasadori slloven, Alen Beragant, i cili vizitoi disa qendra votimi, tha se procesi zgjedhor në Maqedoni është i kënaqshëm sipas standardeve të vendeve demokratike.

“Ftoj qytetarët e Maqedonisë të japin votën e tyre. Shpresoj që sa më shpejt do të kemi Qeveri të re të Maqedonisë dhe Maqedonia do të vazhdojë me reformat; sa më shpejt do të zgjidhet çështja e emrit, ndërsa gjithashtu edhe të përmirësohet edhe situata në mediat", u shpreh Bergant. (z.j)
XS
SM
MD
LG