Ndërlidhjet

Viza ndaj shteteve që sjellin telashe


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Autoritetet kosovare janë duke shqyrtuar efektet politike e ekonomike për ta krijuar listën e shteteve, ndaj të cilave do ta vënë regjimin e vizave, njoftuan përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Në këtë listë, sipas analistëve, duhet të figurojnë shtetet si Rusia, Kina, Afganistani e Irani, mirëpo jo dhe pesë shtetet evropiane, pavarësisht mosnjohjes së Kosovës nga ana e tyre.


Prishtina zyrtare është duke zhvilluar një analizë për vënien e regjimit të vizave për shtete të caktuara, mirëpo vendimi që do të çonte në këtë, thuhet se nuk do të ketë të bëjë domosdo me njohjen apo mosnjohjen e Kosovës nga shtetet në fjalë.

Zyrtarë të Ministrisë së Jashtme i thanë Radios Evropa e Lirë se do të shqyrtohen efektet politike dhe ekonomike që eventualisht mund të prodhojë vënia e regjimit të vizave ndaj disa shteteve para se të vendoset një gjë e tillë.

Njëri nga këshilltarët e shefit të diplomacisë kosovare, Artan Behrami, bëri të ditur se grupi punues, i cili po analizon çështjen e regjimit të vizave, është në fazën fillestare të analizës.

Andaj, sipas tij, nuk mund të flitet ende për ndonjë afat kohor lidhur me publikimin e listës së parë të shteteve, ndaj të cilave do të vihej regjimi i vizave.
Në këtë moment është e vështirë të caktohet ndonjë datë, por grupi është duke punuar
intensivisht...


“Në këtë moment është e vështirë të caktohet ndonjë datë, por grupi është duke punuar intensivisht dhe ne besojmë se shumë shpejt do të kemi një qartësi rreth kësaj”, tha Behrami, për të shtuar se në grupin punues janë të përfshirë përfaqësues të Zyrës së kryeministrit, ata të Ministrisë së Punëve të Jashtme, të Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Financave.

Kërkesa për trajtimin e kësaj çështjeje, thuhet se u është bërë autoriteteve kosovare nga Komisioni Evropian - mekanizëm i Bashkimit Evropian, i cili ende nuk ka hequr regjimin e vizave për qytetarët kosovarë.

Edhe pse Kosova ka mbetur i vetmi vend në rajon i përjashtuar nga liberalizimi i vizave me BE-në, pesë vende anëtare prej të cilit nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, Prishtina zyrtare nuk ka fuqi të marrë masa reciprociteti ndaj këtyre pesë vendeve, vlerësoi profesori në Universitetin e Prishtinës, Avni Mazreku.

“Veprimi unilateral i Kosovës në rast të ballafaqimit të pesë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, që nuk e kanë njohur Kosovën, nuk mendoj se është politikë strategjike efektive për interesa perspektive të Kosovës në Bashkimin Evropian”, vlerësoi Mazreku.

Regjimi i vizave, sipas Mazrekut, do të duhej t’u vihej atyre shteteve, që e kërcënojnë stabilitetin në Kosovë e rajon, të cilat e shfrytëzojnë Kosovën si vend transit për kalimin e narkotikëve, apo prej nga vjen një numër i madh emigrantësh.

Mazreku sugjeroi që në radhët e shteteve, ndaj të cilave do të duhej të aplikohej regjimi i vizave, të hyjnë Rusia, Kina, Irani, Afganistani dhe Pakistani.
Kjo do t’i ndihmonte përmirësimit të pozitës së Kosovës...


“Kjo do t’i ndihmonte përmirësimit të pozitës së Kosovës, përkatësisht shkallës së efikasitetit të qeverisë së vendit për ta luftuar krimin e organizuar, terrorizmin ndërkombëtar. Duke e avancuar këtë pozicion të vetin, Kosova realisht avancon edhe imazhin, i cili do të kishte konsekuenca pozitive për të ardhmen evropiane të Kosovës”, theksoi Mazreku.

Vendimi për hartimin e politikave të regjimit të vizave thuhet se është marrë në muajin shkurt të këtij viti, ndërsa vendimi për zbatimin e tij është bërë në fund të muajit mars nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG