Ndërlidhjet

Zgjedhjet në Maqedoni: Optimizëm ndër politikanë


Presidenti Gjorgje Ivanov
Presidenti Gjorgje Ivanov
Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, ka shprehur bindjen se zgjedhjet e 5 qershorit, do t`i hapin rrugë procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike.

"Zgjedhjet janë çdo ditë kur shprehet demokracia, ngase atë ditë qytetarët përmes votës së tyre, vendosin se kush do t’i përfaqësojë gjatë katër viteve të ardhshme. Vota e qytetarëve do të vendosë se kush duhet të marrë vendime që janë me interes jetik për vendin, që Maqedonia t’i arrijë objektivat strategjikë”, ka deklaruar presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov.

Ndërkaq, liderët e partive politike shqiptare, pasi kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, kanë shprehur kënaqësinë për krijimin e një imazhi të ri, sa i përket demokratizimit të procesit zgjedhor.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, ka vlerësuar se dita e diel, 5 qershor, ishte fitore e trefishtë, sepse këtë ditë fituan, shqiptarët, fitoi demokracia.

“Sot mund të gëzojnë të gjithë, sepse zgjedhjet vlerësohen me dhjetëshe të pastër“, ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, pasi ka votuar në Zajaz të Kërçovës.

Edhe lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili ka votuar në Tetovë, ka thënë se kryesisht është respektuar vota e lirë dhe vullneti i shqiptarëve, pos në disa zona - atë të Zajazit, Osllomesë dhe Kërçovës.

“Për komunat e Zajazit dhe Osllomesë, besoj se me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, këtë herë do të mund të kemi zgjedhje fer dhe korrekte. Përndryshe, ato vendvotime do të prishen nëse nuk është mbajtur procesi zgjedhor në rregull”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë, lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare, Rufi Osmani, ka thënë se të dielën e 5 qershorit, me plotësimin e standardeve për zgjedhje demokratike, i hapet rrugë dhe procesit të integrimit të Maqedonisë.

“Të gjithë ne shpresojmë se ky proces zgjedhor do t’i plotësojë standardet dhe kriteret e vendeve të zhvilluara demokratike”, ka nënvizuar Osmani.

Edhe kandidatja për mandatare të Qeverisë nga opozita maqedonase, LSDM, Radmilla Shekerinska, ka pohuar se të dielën iu hap rruga perspektivës evropiane:

"Sot, më 5 qershor, u takon qytetarëve maqedonas, të cilët presin nga ne, si politikanë dhe institucioneve shtetërore, për të bërë për këtë ditë të jetë një festival i vërtetë i demokracisë”.

Nga ana tjetër, kreu i VMRO-së, Nikola Gruevski, u shpreh i lumtur që votimi të bëhet në mënyrë demokratike, pa probleme duke mos e vënë në pikëpyetje mbarëvatjen e procesit.

Edhe diplomatët e huaj kanë uruar Maqedoninë për atmosferën pozitive pa incidente gjatë mbajtjes së zgjedhjeve.

Ambasadori i SHBA-së, Filip Riker, pasi ka vizituar disa qendra votimi, bashkë me ambasadorin e BE-së në Shkup, Soren Petersen, ka deklaruar:

“Sa i përket mbarëvajtjes së tërë procesit zgjedhor, do të presim raportin e ODIHR-it, por ajo që mund të them deri më tani, pasi vizitova disa qendra votimi në Tetovë dhe paraprakisht isha në Karposh të Shkupit, gjithçka është në rregullin më të mirë të mundshëm”.
XS
SM
MD
LG