Ndërlidhjet

Ushtria izraelite në gjendje gatishmërie në kufirin me Sirinë


Ushtria izraelite ka qenë e alarmuar sot përgjatë kufirit me Sirinë dhe tokat e okupuara izraelite, Lartësitë e Golanit, një ditë pas përleshjeve vdekjeprurëse me palestinezët dhe protestuesit sirianë në atë zonë.

Siria ka lajmëruar që 23 persona janë vrarë kur trupat izraelite hapën zjarr ndaj qindra palestinezëve dhe përkrahësve të Sirisë, të paarmatosur, që ishin duke marshuar në drejtim të rrethimit kufitar.

Izraeli thotë se protestuesit u përpoqën që të kalonin kufirin. Ushtria izraelite gjithashtu e hedhë poshtë numrin e viktimave duke thënë sot se ata dijnë vetëm për 10 viktima pa e specifikuar sa prej tyre kanë vdekur dhe sa janë lënduar.

Ushtria izraelite ka thënë se të gjithë viktimat janë shkaktuar nga minat tokësore që eksploduan kur protestuesit filluan të gjuajnë me koktei molotovi.

Izraeli e ka akuzuar regjimin e Presidentit sirian, Bashar al Asad, se po i orkestron protestat si ajo e së dielës që të tërheqë vëmëndjen ndërkombëtare nga shtypja e përgjakshme që po i bënë revoltës popullore kundër udhëheqjës totalitare të Asadit.

Protesta e së dielës shënonte 44 vjetorin e nisjes së luftës në Lindjen e Mesme e nisur saktësisht në vitin 1967, kur Izraeli e okupoi Lartësinë e Golanit, Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës.
XS
SM
MD
LG