Ndërlidhjet

Skeptikë për rënien e varfërisë


Një djalë kosovar vozit këmbëzbathur biçikletën e tij pa rrota
Një djalë kosovar vozit këmbëzbathur biçikletën e tij pa rrota
Në Kosovë, sipas të dhënave të Bankës Botërore, varfëria ka shënuar ulje për 11 për qind në vitin 2009. Megjithatë, në këtë vit, pak më shumë se një e treta e popullsisë jetonin nën vijën e varfërisë absolute me 1.55 euro në ditë, ndërsa 12 për qind jetonin nën vijën e varfërisë së skajshme me 1.02 euro.

Ekspertë të ekonomisë thonë se kjo rënie nuk është në nivelin e duhur, kur merret parasysh se Kosova mbetet ende vendi më i varfër në Evropë.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se është një lajm i mirë nëse thuhet se ka rënie të varfërisë, por, sipas tij, varfëria në Kosovë mbetet ende në nivel të lartë.

Zvogëlimi i varfërisë nga 46 për qind në 35 është një shifër inkurajuese, por nuk është inkurajuese vetë gjendja e Kosovës, duke pasur parasysh se 35 për qind është shifër e lartë në një vend si Kosova, që është pjesë e Evropës”, thotë Rukiqi.

Eksperti i ekonomisë, Isa Mulaj, nuk është i bindur se ka pasur ulje të varfërisë. Ai thotë se trendët ekonomikë në Kosovë nuk tregojnë të dhëna të mira, të cilat mund të ndikojnë në uljen e varfërisë.

Kjo kurrsesi nuk duhet të na ngatërrojë dhe ta na e krijojë përshtypjen se varfëria reale është zvogëluar, kur të gjithë treguesit ekonomikë e thonë të kundërtën. I tërë problemi i kësaj bindjeje se është zvogëluar varfëria në Kosovë, qëndron në qasje dhe metodologji apo krahasim të standardeve të Kosovës me ato të vendeve të tjera të botës”, sqaron ai.

Niveli i varfërisë në Kosovë, sipas Isa Mulajt, konsiderohet të jetë më i larti në Evropë. Ai thekson se shkalla e varfërisë në Kosovë është shqetësuese dhe, sipas tij, nuk mund të flitet për rënie.

Varfëria, nëse para 3 - 4 vjetësh ka qenë 45 për qind, tash kurrë nuk mund të jetë 35 për qind. Kosova ka pasur një rritje ekonomike shumë të vogël, ndërkohë që papunësia është shtuar dukshëm”, thotë Mulaj.

Shkalla e lartë e varfërisë në Kosovë konsiderohet të jetë pasojë e shumë faktorëve, pasi që Kosova ka qenë vendi më i pazhvilluar në ish-Jugosllavi. Këtu renditen dëmet e shumta gjatë luftës së vitit 1999, mungesa e kapaciteteve, si në aspektin infrastrukturor ashtu edhe njerëzor, mungesa e politikave për t’i adresuar çështjet sociale dhe shumë faktorë të tjerë.

Për të dalë nga kjo gjendje, Rukiqi thotë se duhet të punohet në zhvillimin ekonomik.

Asnjë politikë individuale nuk e zgjidh këtë çështje. Atë e zgjidh një politikë e qartë, një vizion i qartë. Kjo nënkupton që rritja ekonomike duhet të jetë në nivele më të larta dhe të jetë e gjeneruar nga sektori privat, i cili ka mundësi të sigurojë punësim të qëndrueshëm”, thotë Rukiqi.

Sipas vlerësimeve të organizatave ndërkombëtare, varfëria mbetet një ndër shqetësimet kryesore të kosovarëve, të cilët mendojnë se situata e rëndë ekonomike e kërcënon edhe stabilitetin e vendit.
XS
SM
MD
LG