Ndërlidhjet

Serbët në veri të Kosovës kanë deklaruar se, nga dita e nesërme, protestat mund të radikalizohen në mënyra të ndryshme, nëse kërkesat e tyre drejtuar misioneve ndërkombëtare nuk realizohen.

Biznesmenët protestues, në një letër që u kanë dërguar misioneve ndërkombëtare, kanë kërkuar që të ndalohet regjistrimi dhe kontrollimi i mallrave në pikën doganore kufitare në Banjë.

Udhëheqësi i ndërmarrjeve në veri të Kosovës, Ratomir Bozhoviq, ka thënë se misioni i EULEX-it duhet t’i kthehet veprimit neutral ndaj statusit të Kosovës.

“Ne presim që kërkesat tona të mirëkuptohen nga shefi i misionit të EULEX-it.
Shpresojmë që ata do të përgjigjen pozitivisht. Është koha që njerëzit të fillojnë të jetojnë normalisht dhe t’i kthehen biznesit. Faktet tregojnë që EULEX-i është vënë në autoritetin ekzekutiv të institucioneve kosovare, duke ushtruar terror e frikësim ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës”, ka thënë Bozhoviq.

Ai ka deklaruar se nëse nuk realizohen kërkesat e tyre, do të ketë radikalizim të protestave.

“Këtë e kemi paralajmëruar, nuk dua të flas shumë në këtë drejtim, por do të shihet. Krejt kjo varet nga përgjigjja e misioneve ndërkombëtare. Sidoqoftë, e gjithë protesta jonë do të jetë brenda kufijve demokratikë. Nuk do të ketë asgjë të dhunshme, sepse nuk duam t’i japim EULEX-it hapësirë që të na akuzojë për destabilizim”, është shprehur Bozhoviq.

Nga ana tjetër, zyrtarët e EULEX-it kanë deklaruar se janë duke e shqyrtuar letrën e protestuesve serbë.

EULEX
Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se EULEX-i do të vazhdojë me implementimin e ligjit në gjithë territorin e Kosovës. Ai ka thënë se individët që thyejnë rregullat ligjorë do të përballen me ligjin, pavarësisht nga etnia e tyre.

“Bllokimi i rrugëve dhe ndalimi i lëvizjes së lirë të njerëzve dhe automjeteve është i paligjshëm. Policia dhe prokurorët e EULEX-it kryejnë hetime dhe arrestojnë individë kur ka prova të mjaftueshme për ta bërë këtë”, ka deklaruar Krasniqi, duke kujtuar se biznesmeni Jevro Panteliq është arrestuar për një numër veprash, përfshirë krim të organizuar dhe pastrim parash.

Si reagim ndaj arrestimit të tij, serbët në veri të Kosovës kanë mbajtur të bllokuar për më shumë se 15 ditë me radhë rrugën në fshatin Zupq të Komunës së Zubin Potokut. Kjo rrugë u lirua të enjten, duke i lënë të lirë qytetarët të kalojnë në atë pjesë të vendit.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG