Ndërlidhjet

Bakteri E.Coli: Dyshimet kalojnë te bishtajat

  • RFE /RL

Bishtajat dyshohet të jenë burim i E.Coli-t...

Bishtajat dyshohet të jenë burim i E.Coli-t...

Rezultatet zyrtare të testeve pritet të tregojnë se bishtajat nga një fermë organike në Gjermaninë Veriore kanë shkaktuar shpërthimin e bakterit E.Coli, nga i cili deri më tash kanë vdekur 22 njerëz dhe më shumë se 2,200 janë infektuar.

Nëse bishtajat nga një fermë në një fshat në Bienebutel, mes Hamburgut dhe Hanoverit, konfirmohen si burimi i vetëm i bakterit tepër agresiv dhe super-toksik, kjo mund të zgjidhë misterin që i ka kapluar autoritetet për disa javë.

Dyshimet për bakterin vdekjeprurës fillimisht kanë rënë mbi sallatën e gjelbër, domatet dhe trangujt e importuar nga Spanja.

Por, zyrtarët gjermanë tani thonë se bishtajat e perimeve që janë rritur në Gjermani, dyshohet se janë shkaktarët e përhapjes së bakterit E.Coli në tërë Evropën.

Ministri i Agrikulturës në Saksonin e Poshtëm, Gert Lindenman, tha se testet e para kanë zbuluar që bishtajat e fasules dhe bishtajat tjera nga një fermë organike në rajonin e Ylcenit, në mes të qytetit të Hamburgut dhe Hanoverit, mund të jenë burim i infektimeve me E.Coli.

“Ka pasur indikacione në rritje në orët e fundit se një fermë në Ylcen, që merr bishtaja nga shtete të ndryshme federale për produktet e tyre dhe ofron një përzgjedhje të bishtajave të fasuleve, mund të jetë burim i infeksionit me E.Coli - të paktën një nga burimet kryesore”, tha Lindenman.

Dyshimet për bakterin E.Coli fillimisht kanë rënë mbi sallatën e gjelbër, domatet dhe trangujt e importuar nga Spanja.
Bishtajat e dyshuara raportohet se janë dërguar në restorante në disa qytete të Gjermanisë. Megjithatë, ministri gjerman i Shëndetësisë, Daniel Bar, parapëlqen të presë testet përfundimtare, para se të pranojë se infektimi buron nga Gjermania Veriore.

“Si ministër gjerman i Shëndetësisë nuk mund të them se është plotësisht e qartë. Ende presim raste të HUS - sindroma hemolitik uremik. Po vazhdojmë të rekomandojmë që njerëzit të mos hanë domate të freskëta, tranguj dhe sallata të gjelbra në Gjermaninë Veriore. Kjo është metoda më e mirë e mbrojtjes, e normalisht edhe rregullat higjienike”, tha Bar.

Edhe kreu i Institutit gjerman Kombëtar për Kontrollimin e Sëmundjeve, Rajnhard Burger, tha se nuk duhet dalë me gjetje të parakohshme.

“Po përpiqemi të jemi të kujdesshëm dhe të mos dalim publikisht me gjetje të parakohshme. Duam të gjejmë shkakun sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo në mënyrë të parakohshme. Këto studime nuk po merren vetëm me spitalet, por po ashtu edhe me kantinat dhe restorantet. Po mundohemi të gjejmë se çfarë është ngrënë atje”, tha Burger.

Ministrat e Agrikulturës të Bashkimit Evropian pritet të mbajnë një takim emergjent në Luksemburg të martën, për të diskutuar ndikimin që ka pasur mbi prodhuesit e perimeve shpërthimi bakterial në Evropë.

Zyrtarët gjermanë mendojnë se përhapja e bakterit mund të jetë e lidhur edhe me fermat në Spanjë.

Nuk ka shifra zyrtare, por prodhuesit në Spanjë vlerësojnë se kanë humbur qindra-miliona euro pas shpërthimit vdekjeprurës të E.Coli-t, pas alarmit të rremë, siç thonë ata, se trangujt e rritur në Spanjë bartnin infeksionin.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Bujqësi, Roger Uait, tha se në takim do të diskutohen masat për kompensimin e prodhuesve të perimeve. (a.i.)

Lexoni edhe këtë:
Të gatshëm për E.Coli-n (?)
XS
SM
MD
LG