Ndërlidhjet

logo-print

Ekshumohen 9 trupa në Mitrovicë


Ekspertët e EULEX–it për mjekësi ligjore nga Departamenti për Mjekësi Ligjore kanë zhvarrosur mbetjet mortore të nëntë personave që dyshohet të jenë viktima nga konflikti në Kosovë, bëri të ditur Zyra për informim e EULEX-it përmes një komunikate për media.

Operacioni treditor në terren thuhet se është zhvilluar në varrezat e myslimanëve në veri të Mitrovicës.

“Ne akoma po hulumtojnë për mbetjet mortore të së paku edhe dy personave të tjerë në këtë vend. Puna do të vazhdojë edhe gjatë ditëve në vijim”, tha bashkë-kryesuesi i DML-së, Alan Robinson.

Bëhet e ditur se zhvarrosja në Mitrovicë është rezultat i analizave intensive të dokumenteve, hetimeve dhe disa vizitave të kryera më herët nëpër lokacione.

Prej kohës kur ekspertët e EULEX-it iu bashkuan Departamentit për Mjekësi Ligjore në dhjetor të vitit 2008, departamenti thuhet se ka zhvilluar më shumë se 280 operacione në terren, ndërsa janë gjetur trupat e më shumë se 140 personave të pagjetur.
XS
SM
MD
LG