Ndërlidhjet

Mosrespektimi i Marrëveshjes së CEFTA-s nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke bllokuar eksportin dhe transportin e mallrave të Kosovës në këto dy vende, i ka kushtuar mjaft Kosovës.

Ekspertë të çështjeve ekonomike thonë se ekzekutivi i vendit është dashur shumë më herët t’i bllokojë produktet serbe. Sipas tyre, një vendim i tillë nuk është marrë për shkak të mungesës së vullnetit politik.

Alban Hashani, nga Instituti Riinvest, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të nisë menjëherë me masa reciproke, e jo me vendosjen e tarifave doganore.

Deklarimet deri më tani nuk kanë dhënë një sinjal pozitiv, për arsye se ato kanë paralajmëruar që do të vendosin taksa doganore dhe jo të aplikohen menjëherë masat e reciprocitetit”.

Kemi një gabim në hapa. Duhet menjëherë të vazhdohet me masë reciprociteti, që të tregohet se Kosova është vend sovran dhe si i tillë respekton marrëveshjet dhe nuk lejon diskriminim të njëanshëm nga ndonjë shtet i caktuar, siç është Serbia, Bosnja apo Moldavia”, shprehet Hashani.

Të dhënat e fundit nga tregtia e jashtme e Kosovës, të publikuara nga Enti Statistikor, tregojnë për një deficit tregtar për muajin shkurt, 2011, në vlerë prej 123,2 milionë eurosh. Në shkurtin e 2010-ës, vlera e deficitit ishte 111,8 milionë euro.

Sipas këtyre të dhënave, përqindja më e madhe e importit është nga Serbia, me 12.9 për qind, ndërsa Bosnja e Hercegovina me 2.3 për qind.

Milazim Abazi, nga Aleanca a Kosovare e Biznesit, thekson se Kosova është vonuar në marrjen e masave reciproke ndaj vendeve që kanë bllokuar produktet kosovare.

Jemi të vonuar në marrjen e masave reciproke me Bosnjën dhe Serbinë. Do të përfitojmë shumë edhe në aspektin e buxhetit dhe në atë të konkurrencës. Ne kemi shumë shtete, të cilat do të mund t'i zëvendësonin mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja, kështu që nuk mund të paraqitet ndonjë krizë në treg apo ndonjë luhatje e çmimeve”, thotë ai.

Vendosja e masave të reciprocitetit për vendet që kanë bllokuar mallrat kosovare ka qenë një kërkesë e shumëpërfolur që tre vjet në Kosovë, por një vendim i tillë nuk është marrë. Aplikimi i masave të reciprocitet është edhe në kuadër të Marrëveshjes për Tregti të Lirë CEFTA.

Alban Hashani thotë se mosrespektimi i Marrëveshjes për Tregti të Lirë nga ana e Serbisë dhe Bosnjë, i ka shkaktuar humbje të konsiderueshme Kosovës.

Ne nivelin politik humbim sovranitetin, si një vend që nuk je i zoti të kesh sovranitet mbi territorin tënd, mbi doganat dhe lejon që dikush në mënyrë të njëanshme t’i diskriminojë produktet tua. Mund të themi se me dëshirë e kemi dorëzuar sovranitetin tonë”.

Përveç kësaj, janë edhe humbjet që shkaktohen për eksportuesit e Kosovës, të cilëve nuk iu lejohet të kalojnë në ato vende as transit. Është shumë kosto e madhe që nuk ua jep mundësinë të jenë konkurrues në ato tregje, ku ata eksportojnë mallrat”, thotë Hashani.

Republika e Kosovës, këtë vit, kryeson Marrëveshjen për Tregti të Lirë me Evropën Qendrore, mekanizëm ky që në 2010-ën është udhëhequr nga Serbia.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG