Ndërlidhjet

Frikë nga aksionet brutale të qeverisë

  • RFE /RL

Një protestë anti-qeveritare në Siri

Një protestë anti-qeveritare në Siri

Aktivistët e opozitës në Siri i frikësohen një sulmi brutal në qytetin verior të Jisr al-Shughour pasi që televizioni shtetëror raportoi se janë vrarë 120 trupa të forcave të sigurisë nga “bandat e armatosura”- një frazë që shpesh përdoret për të përshkruar protestuesit anti-qeveritarë.

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe analistët e pavarur po vënë në pikëpyetje besueshmërinë e raportit, duke thënë se regjimi i presidentit Bashar al-Assad po mundohet të mbulojë një tjetër masakër nga trupat qeveritarë, e cila ka për qëllim përmbysjen e kryengritjeve popullore.

Zëdhënësi i qeverisë së Sirisë Adnan Mahmoud bëri të ditur se forcat siriane kanë humbur kontrollin në disa zona. Ai pretendon se banorët e Jisr al-Shughour i kanë bërë apel armatës që të bëjë gjithcka është e mundur që ta rikthejë sigurinë atje, pas vrasjes së forcave të sigurisë dhe djegies së ndërtesave të qeverisë.

Ministri i brendshëm Ibrahim Shar kërcënoi me veprime të fuqishme dhe vendimtare.

Përgjegjësia e shtetit është që të ruajë jetën e civilëve dhe ushtarëve, si dhe të mbrojë ndërtesat e qeverisë, të cilat janë prona publike. Ne do të veprojmë me vendosmëri dhe fuqishëm sipas ligjeve dhe nuk do të heshtim ndaj asnjë sulmi të armatosur që ka cak sigurinë e shtetit dhe të qytetarëve të tij”, tha Shar.

Presidenti i Sirisë - Bashar al-Asad
Është duke u bërë e pamundur që të verifikohen detajet e asaj që ndodhi në Jisr al-Shughour, sepse qeveria ndërpreu komunikimet me këtë zonë të hënën, ndërsa gazetarët e huaj janë dëbuar nga vendi.

Nadim Houri, një hulumtues e Sirisë për Human Rights Watch, i tha Radios Evropa e Lirë se organizata e saj nuk ka mundur të kontaktojë ndonjë dëshmitar që do të përshkruante ngjarjet e së hënës në Jisr al-Shughour.

Ualid Safur, president i Komitetit për të Drejtat e Njeriut në Siri, që ka seli në Mbretërinë e Bashkuar, i tha sot Radios Evropa e Lirë se “në këto rrethana, të gjitha kontaktet tona në provincën e Idlibit, kur gjendet Jisr-el-Shoughour, janë ndërprerë që nga mëngjesi i djeshëm”.

Autoritetet turke thanë se qindra sirianë kanë kaluar në Turqi, disa nga ta për të kërkuar trajtim mjekësor. Kështu që të dhënat nga dëshmitarët mund të dalin së shpejti.

Disa analistë të pavarur pajtohen me aktivistët sirianë, të cilët thonë se autoritetet duket se po bëjnë inskenime për ndonjë goditje edhe më brutale në ditët e ardhshme.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se më shumë se 1100 protestues anti-qeveritarë janë vrarë në Siri, që nga kryengritja kundër regjimit 40 vjeçar të Asadit, e cila filloi në mesin e muajit mars.

Majkëll Ueis është autor i një studimi të ri mbi opozitën në Siri dhe drejtor i komunikimeve për organizatën me seli në Londër “Henry Jackson Society”.

Ai i tha se nuk mund të merren të vërteta ato që thuhen në televizonin shtetëror, aq më tepër, për masakrën ndaj trupave qeveritarë, që sipas tij janë të stërvitur dhe të armatosur tepër mirë.

Është gënjeshtër e plotë. Së pari, televizioni shtetëror i Sirisë kontrollohet nga regjimi dhe regjimi bën gjithçka është e mundur të propagandojë aty. Opozita është e paarmatosur. Ata e kanë bërë këtë për shkaqe parimore, por edhe për çështje të domosdoshmërisë”.

Mendoj që ata nuk kanë qasje në ato lloje armësh, me të cilat kryhet një ‘masakër’ mbi trupat e sigurisë që janë të trajnuara mirë. Mendoj se ky është një dëshpërim i Asadit”, tha Ueis.

Ai shtoi se raportet për 120 të vrarë në mesin e trupave të sigurisë, mund të jetë një përpjekje e regjimit të Asadit për të mbuluar ndonjë masakër që tashmë ka ndodhur.

Mund të ndodhë që regjimi po mundohet të mbulojë mbase një masakër mbi popullatën civile dhe pretendon se ushtarët janë sulmuar së pari. Po ashtu, armata siriane është dëmtuar në numër të madh në ditët dhe javët e fundit”.
Mund të ndodhë që regjimi po mundohet të mbulojë mbase një masakër mbi popullatën civile dhe pretendon se ushtarët janë sulmuar së pari

Prandaj, ideja se 120 ushtarë janë vrarë, mund të tregojë se ata janë ekzekutuar për shkak se kanë refuzuar të qëllojnë mbi civilët, diçka që regjimi i Asadit edhe e ka bërë. Janë gjetur nga opozitarët varreza masive të ushtarëve të vrarë sirianë në Dara, disa javë më parë”, tha Ueis.

Aktivisti për të drejtat e njeriut, Mustafa Oso tha se ka raporte të pakonfirmuara për disa ushtarë që kanë kaluar në anën e opozitarëve. Megjithatë, Oso thotë se kjo kryengritje është e kufizuar dhe nuk paraqet ende kërcënim për unitetin e armatës.

Aktivistë tjerë sirianë, në kushte anonimiteti flasin për raporte të pakonfirmuara për ndërluftime mes vetë forcave të sigurisë.

Ata e përshkruajnë situatën si “shumë të mjegullt”, “shumë serioze” dhe “afër daljes nga kontrolli”.

Por, ata shtojnë se nuk është e qartë se kush po qëllon në Sirinë Veriore.

Zëdhënësi i DASH-it, Mark Toner, ka sugjeruar se vendimi i Asadit që të lejojë protestuesit pro-palestinezë që të sulmojnë kufirin izraelit dy herë në javët e fundit, jep indikacione se ai po mundohet të tërheqë vëmendjen nga kriza serioze në vend dhe nga një aksion i mundshëm i ri.

Ne dënojmë atë që duket të jetë përpjekje e qeverisë së Sirisë për të nxitur ngjarje dhe për të tërhequr vëmendjen nga çështjet e brendshme. Është e qartë së një sjellje e tillë nuk do të largojë vëmendjen e ndërkombëtarëve nga sjellja e dënueshme e qeverisë siriane mbi qytetarët e saj”.

Më duhet të shtoj se Izraeli si shtet sovran ka të drejtë që ta mbrojë vetveten”, tha Toner.

Televizioni shtetëror ka mbuluar protestat e së dielës në Lartësin Golan, që ndodhet në kufirin jugor të Sirisë, ku mbetën të vrarë 23 persona nga luftimet me forcat izraelite. Por, nuk ka mundësuar asnjë pamje nga protesta, aksioni apo zënia e pritës në skajin verior të Sirisë.

Jisr al-Shughour, që gjendet 20 kilometra larg kufirit me Turqinë, ka qenë në fokus të aksioneve qeveritare kundër protestuesve anti-qeveritarë. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se që nga e shtuna, atje janë vrarë të paktën 42 civilë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG