Ndërlidhjet

Jemenasit protestojnë për qëndrimin në ekzil të Salehit


Mijëra protestues u tubuan gjatë ditës në rrugët e kryeqytetit jemenas, Sana, me kërkesën që presidenti Ali Abdullah Saleh të qëndrojë në ekzil.

Diku 4 mijë protestues kërkuan “një marsh prej një milionë vetash” në mënyrë që Saleh të qëndrojë në Arabinë Saudite ku po trajtohen lëndimet që ka marrë nga sulmi i së premtes.

Sipas raporteve që citojnë zyrtarët amerikanë thuhet se trupi i Salehit është djegur për diku 40 për qind.

Larg protestës paqësore në kryeqytetin Sana, u përshkallëzuan luftimet në jugun e vendit të kontrolluar nga militantët islamistë.

Ushtria bëri të ditur se 30 militantë dhe 15 ushtarë janë vrarë gjatë dhunës në një qytet të kontrolluar nga Al Kaida.

Qyteti jugor Zinxhibar u sulmua nga militantët diku 10 ditë më parë.

Luftimet u rishfaqën edhe në qytetin Taiz, në lindje të kryeqytetit jemenas.

Të hënën, Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton bëri thirrje për një “tranzicion të menjëhershëm” në Jemen.
XS
SM
MD
LG