Ndërlidhjet

WP: Si të dilet nga Afganistani pa krijuar konflikt më të gjerë?


Trupat amerikane në Kandahar të Afganistanit.
Trupat amerikane në Kandahar të Afganistanit.
“Washington Post”

Shkruan: Henri Kisinxher, ish-sekretari amerikan i Shtetit



Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në Afganistan për të ndëshkuar talibanët për mbrojtje të Al-Kaidës, e cila, nën udhëheqjen e Osama bin Ladenit, kishte kryer sulmet e 11 Shtatorit. Pas një fitoreje të shpejtë, forcat amerikane kanë mbetur për të ndihmuar ndërtimin e një shteti pas-taliban.

Ky shtet-ndërtim u ndesh me ironi, sepse kombi afgan është në kundërshtim me forcat pushtuese. Kur forcat e huaja tërhiqen, politikat afgane kthehen në një garë mbi territorin dhe popullsinë, nga grupe dhe sekte të ndryshme.

Sondazhet tregojnë se mbi 70 për qind e amerikanëve besojnë se Shtetet e Bashkuara duhet të tërhiqen nga Afganistani.

Që negociatat të kthehen në një strategji dalëse, duhet të plotësohen katër kushte: armëpushimi, tërheqja e të gjitha ose shumicës së trupave amerikane, krijimi i një qeverie koalicioni ose ndarja e territoreve midis partive konkurrente, si dhe një mekanizëm i detyrimit.

Ky i fundit është elementi më i rëndësishëm dhe më i vështiri për t’u mbështetur. Pas dekadave të luftës civile, palët nuk kanë gjasa të ndihen të detyruara nga dispozitat e çdo marrëveshjeje.

Talibanët në veçanti do të përpiqen të marrin përsipër qeverinë e koalicionit apo të shkelin armëpushimin. Në mungesë të një mekanizmi të besueshëm të detyrimit, negociatat me talibanët do të kthehen në një mekanizëm për kolaps.

Sa më e shpejtë dhe më substanciale të jetë tërheqja, aq më i vështirë do të jetë procesi negociues. Shtetet e Bashkuara duhet t’i zgjedhin prioritetet.

Mekanizmi i detyrimit mund të jetë një forcë e mbetur amerikane, një prani ndërkombëtare, ose më së miri një kombinim i të dyjave. Tërheqja e plotë është definitive dhe nuk duhet të ketë iluzione për rindërhyrje.

Ndonëse roli mbizotërues i Shteteve të Bashkuara ndonjëherë e errëson atë, rezultati në Afganistan, në thelb, është një problem politik ndërkombëtar. Perceptimi se forca më e madhe globale ka pësuar disfatë, mund t’i japë një shtysë xhihadit global dhe rajonal. Militantët islamikë mund të inkurajohen për të lartësuar taktika të ngjashme në Kashmir apo Indi – të tilla si sulmet në Mumbai, më 2008.

Fqinjët e tjerë të Afganistanit do të jenë në rrezik të ngjashëm nëse një qeveri e dominuar nga talibanët u kthehet praktikave origjinale të tyre. Të gjithë fqinjët do të ishin të kërcënuar: Rusia në jugun e saj me myslimanë, Kinia në Ksijang, iranianët shiitë nga tendencat fundamentaliste të sunitëve.

Përpjekjet diplomatike, pjesërisht rajonale, pjesërisht globale, do të ishin të nevojshme për të shoqëruar bisedimet direkte me talibanët. Për aq kohë sa Amerika do ta ketë barrën kryesore, fqinjët e Afganistanit do t’iu shmangen vendimeve të vështira.

Por, një konferencë rajonale do të ishte mënyra e vetme që negociatat dypalëshe me talibanët të mund të realizohen. Një zgjidhje e qëndrueshme rajonale në Afganistan do të ishte një fillim i denjë. (v.t.)
XS
SM
MD
LG