Ndërlidhjet

Ligj për rivitalizimin e Trepçës


Një nga minierat e kompleksit "Trepça"
Një nga minierat e kompleksit "Trepça"
Gjiganti metalurgjik “Trepça”, që gjendet në Mitrovicë, vazhdon të përballet me barriera të shumta, ndërsa ende nuk ka ndonjë vendim nga autoritetet kompetente se a do të privatizohet apo rivitalizohet ky kompleks. Në anën tjetër, udhëheqës të kësaj ndërmarrjeje dhe deputetë në Kuvendin e Kosovës, kërkojnë që sa më shpejt të miratohet Ligji për “Trepçën”, e pastaj të shqyrtohen format alternative për rigjallërimin e saj.


Kompleksi industrial “Trepça” që gjendet në Mitrovicë, vazhdon të përballet me probleme të natyrës juridike, politike dhe ekonomike.

E, për t’i zgjidhur këto probleme, së pari duhet të fillohet nga pikëpamja juridike, në mënyrë që të funksionalizohet edhe çështja ekonomike, thonë udhëheqës të këtij kompleksi.

Menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Ferat Shala, thotë se vetëm miratimi i Ligjit për Trepçën, do të mundësonte eliminimin e barrierave, me të cilat aktualisht ballafaqohet ky kompleks.

Shala, megjithatë, shpreson se ky ligj do të miratohet brenda disa muajsh, pasi tregon se përfaqësues të kësaj ndërmarrjeje, në bashkëpunim me institucionet vendore, tashmë e kanë iniciuar këtë projektligj.


“Konsideroj se Ligji për Trepçën do të zgjidhte një pjesë të problemeve, një pjesë të moratoriumit dhe do ta orientonte qartë perspektivën zhvillimore të ndërmarrjes ‘Trepça’”, thotë Shala.

Edhe Myzejene Selmani, anëtare e Komisionit për Tregti, Zhvillim dhe Industri në Kuvendin e Kosovës, thotë se autoritetet kompetente në radhë të parë duhet të miratojnë Ligjin për ndërmarrjen “Trepça”, e pastaj të shikojnë forma adekuate për rigjallërimin e saj.

“Duhet të hyhet në këtë kombinat me një koorporatizim, të ndahen të gjitha departamentet e ‘Trepçës’ dhe të shihet ekskluzivisht ku mund të hyhet përmes partneritetit publiko-privat në ‘Trepçë’”.

“Kjo, sepse në rast se ‘Trepça’ vazhdon të mbetet kështu siç është dhe produktet e saj të shiten për mbeturina, atëherë nuk e di se ku është përfitimi i ‘Trepçës’”, s
hprehet Selmani.

Por, zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit thonë se janë duke punuar me një ritëm të përshpejtuar për nxjerrjen e ligjeve të reja që rregullojnë fushën e privatizimit dhe likuidimit.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në këtë agjenci, shpjegon më shumë:

“Tashmë janë krijuar grupet punuese për ndryshimet legjislative dhe po punohet intensivisht për nxjerrjen e këtyre ligjeve, si dhe zëvendësimin e rregulloreve të UNMIK-ut. Probleme deri më tani, kanë paraqitur pikërisht rregulloret e UNMIK-ut dhe mosunifikimi i bazës ligjore”.

“Se si do të vazhdojnë proceset pas miratimit të ligjit, natyrisht që do të veprohet në bazë të ligjit që do të miratohet në Kuvendin e Kosovës”.


Por, sipas Ferat Shalës, mënyra më e përshtatshme për rifunksionalizimin e “Trepçës”, është rivitalizimi dhe jo privatizimi i saj.


Ai thotë se “Trepça” konsiderohet si një ndërmarrje e rëndësisë së veçantë që mund të ketë ndikim shumë të madh në zhvillimin ekonomik të vendit, dhe për këtë arsye, sipas Shalës, ky gjigant duhet të rivitalizohet.

“Riviatalizimi nënkupton zgjidhjen e problemeve të mëdha juridike, pronësore, zgjidhjen e problemeve të statutit të ndërmarrjes, zgjidhjen e problemeve sociale dhe mjedisore”, thekson Shala.

Ndryshe, “Trepça” si gjigant ekonomik kosovar me asete dhe degë të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet ‘80, me mbi 20 mijë punëtorë.

Ndërsa, ky gjigant tash numëron rreth 1340 punëtorë shqiptarë, kurse 1000 punëtorë të tjerë janë të komunitetit serb dhe punojnë në sektorët e kësaj ndërmarrjeje, që gjenden në pjesën veriore të Mitrovicës.
XS
SM
MD
LG