Ndërlidhjet

Protesta kundër dhunës


Pamje nga protestat në Shkup

Pamje nga protestat në Shkup

Arrestimi i ish-ministrit të dikasterit të të policisë, Lube Boshkoski, aktualisht kryetar i një partie politike dhe vrasja e 23-vjeçarit pas ushtrimit të dhunës nga një pjesëtar i njësitit special të forcave policore, nga Komiteti i Helsinkut në Maqedoni dhe organizatat joqeveritare, konsiderohen si instalim i dhunës shtetërore.

Qindra protestues të organizuar përmes rrjeteve sociale, për të tretën ditë me radhë shprehën revoltën e tyre në sheshin “Nëna Terezë” në Shkup, kundër dhunës nga ana e policisë.

Ata kërkuan që të shpërbëhen njësitet e forcave speciale Tigrat dhe Alfa, forca këto që jo rrallë herë kanë qenë të kritikuar nga aktivistë të të drejtave të njeriut për tejkalim kompetencash.

“Nuk guxon askush të na maltretojë, e aq më pak të na detyrojë të heshtim. Secili moshatar i yni, kur ka dalë në mbrëmje, ka pasur rastin të legjitimohet nga persona të paformuar, të cilët nuk prezantohen. Jo rrallë herë ne jemi goditur me shuplakë ose jemi shkallmuar, dhe një gjë e tillë kalon pa u dënuar. Mendoj se kësaj duhet t'i thuhet STOP” , u tha në protestë.

Ndërkohë, pasi u vetë-dorëzua polici Igor Spasev, që goditi për vdekje djaloshin 23-vjeçar Martin Neshkovski, për arsye që ende nuk janë bërë të ditura, Ministria e Punëve të Brendshme bëri të ditur se ka ngritur aktpadi ndaj policit të njësitit special. Ministrja Gordana Jankullovska tha se veprën, polici Spasev e kishte bërë jashtë orarit të punës:

“Personi në fjalë veprën e ka kryer jashtë orarit të punës dhe ju lutem që në këtë tragjedi të mos e involvoni politikën”, deklaroi ministrja Jankullovska, duke siguruar se drejtësia do të bëjë punën e saj për ta ndriçuar rastin në fjalë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për pjesëtarë të forcave të sigurimit.

Pas kësaj deklarate reagoi kryetari i Komunës së Karposhit që vjen nga radhët e opozitës, LSDM, Lupco Jakimovski. Ai kërkoi përgjegjësi të menjëhershme nga autoritetet shtetërore.

“Neve nuk na duhen fusha sporti, shirita të kuq - neve si qytetarë të këtij vendi, na duhet siguri për fëmijët tanë”, theksoi kryetari i Komunë së Karposhit, ku ka jetuar i riu 23 vjeç, Martin Neshkovski.

Protestuesit e indinjuar nga vdekja misterioze e të riut 23-vjeçar, gjatë organizimit të festës me rastin e fitores së VMRO-DPMNE-së, i mbështeti edhe kryetari i Komitetit të Helsinkut, Osman Kadriu.

“Flasim për një dukuri ku në mënyrë flagrante janë shkelur të drejtat e njeriut, aq më shumë kur është kërcënuar rëndë e drejta e jetës, si bazament fundamental i të drejtave të njeriut”, u shpreh Kadriu, duke kërkuar sa më parë ndriçimin e rastit pa anashkaluar askënd nga përgjegjësia.

Ndërkaq, arrestimin e kryetarit të partisë “Të bashkuar për Maqedoninë”, Lube Boshkoski, siç është njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, u bë për shkak të keqpërdorimit të mjeteve financiare gjatë fushatës zgjedhore dhe armëmbajtjes pa leje.

Partitë politike në opozitë, si dhe ekspertët e pavarur, e vlerësuan këtë si hakmarrje ndaj të gjithë atyre, që nuk janë të dëgjueshëm ndaj pushtetit.

Për momentin, nuk ka mundësi që të dëshmohet kush sa para ka shpenzuar apo sa ka keqpërdorur gjatë fushatës zgjedhore, sepse afati i fundit për dorëzimin e raportit financiar të partive politike përfundon 15 ditë pasi të jetë mbyllur procesi zgjedhor. Për këtë, kompetent është revizioni financiar. Ky aksion i arrestimit, që u bë për të krijuar spektakël para mediave, ka një porosi të qartë për të gjithë ata, të cilët mendojnë ndryshe, gjë që kërcënon dukshëm kapacitetin demokratik të vendit”, deklaroi Mirjana Najcevska, aktiviste për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG