Ndërlidhjet

Aktakuzë edhe ndaj drejtorit të Doganës së Kosovës


Naim Huruglica
Naim Huruglica
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër drejtorit të Doganës së Kosovës, Naim Huruglica, dhe udhëheqësit të Drejtorisë Ligjore të Doganës së Kosovës, Lulzim Rafuna.

Sipas një njoftimi për media të EULEX-it, aktakuza kundër të të pandehurve është ngritur në kontekst të një hetimi lidhur me një importim të madh të duhanit, të kryer në dhjetor 2008, nga katër kompani të duhanit nga Kosova.

"Ky importim u krye pak para ngritjes së akcizës, e cila hyri në fuqi në janar, 2009. Ky aktivitet konsiderohet i paligjshëm, pasi që është përpjekje për t’iu shmangur pagesës së akcizës. Që të dy akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare ose autoritetit dhe shpërdorim të autorizimeve ekonomike", thuhet në njoftim.

Aktakuza thuhet se bazohet në hetimet që formalisht kanë filluar më 5 tetor, 2010, dhe të cilat janë kryer nga një prokuror special i EULEX-it në bashkëpunim me policinë ekzekutive të EULEX-it.

EULEX-i njofton se dëshmitë janë mbledhur nga intervistat e dëshmitarëve dhe nga materialet e konfiskuara gjatë bastisjeve, të kryera më 16 dhjetor, 2010, në Drejtorinë e Doganës dhe në Ministrinë e financave.

Një ditë më parë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë edhe ndaj drejtorit të PTK-së, Shyqri Haxha, mbi bazën e dyshimit se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet. Përveç Haxhës, aktakuza përfshin edhe katër persona të tjerë.

Në një komunikatë të lëshuar nga EULEX-i thuhej se “Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër pesë të pandehurve në kontekstin e një hetimi në lidhje me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) në mes të PTK-së dhe Dardafon dhe transferimin e mëvonshëm të licencës për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009”.

Të pandehurit, vijon komunikata, janë Shyqyri Haxha, kryeshef ekzekutiv i PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, kryesues i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Ismet Bojku, përfaqësues ligjor i Dardafon dhe dardafon.net, si dhe Shkëlqim Devolli e Blerim Devolli, pronarë të kompanive private që i përkasin DEVOLLI GROUP.

“Akuzat kundër Shyqyri Haxhës dhe Rexhë Gjonbalajt janë lidhja e kontratave të dëmshme, shpërdorimi i pozitës zyrtare dhe keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi”, thuhej në komunikatë.

Akuzat kundër Blerim Devollit, Shkëlqim Devollit dhe Ismet Bojkut kanë të bëjnë me dyshimet për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve, raste të posaçme të falsifikimit të dokumenteve dhe krim të organizuar.
XS
SM
MD
LG