Ndërlidhjet

logo-print

Okampo: Ka dëshmi se Gadafi ka urdhëruar dhunime


Akuzat e para për dhunim në Libi, të mbështetësve të Gadafit, u bënë në muajin maj, nga gruaja Eman al-Obeidi

Akuzat e para për dhunim në Libi, të mbështetësve të Gadafit, u bënë në muajin maj, nga gruaja Eman al-Obeidi

Nga Libia po dalin detaje, që sugjerojnë se regjimi i Muamer Gadafit, ndoshta ka urdhëruar fushatën sistematike të dhunimit për t’i frikësuar luftëtarët opozitarë.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Luis Moreno-Okampo, tha se hetuesit kanë gjetur dëshmi, që sugjerojnë se lideri i Libisë, Muamer Gadafi, kishte urdhëruar dhunime masive të femrave, si pjesë e fushatës së frikësimit kundër forcave kryengritëse, që po përpiqen ta përmbysin regjimin e tij.

Kryeprokurori Luis Moreno-Okampo u tha gazetarëve në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, se dhunimi sistematik ishte qartazi “një aspekt i ri” i goditjes së Muamer Gadafit kundër kundërshtarëve të tij.

Veprimtarët për të drejtat e njeriut dhe juristët, theksojnë se ekziston një dallim i jashtëzakonshëm ndërmjet akteve individuale të dhunës së kryer gjatë luftës dhe fushatës së orkestruar sistematike për t’i marrë në shënjestër civilët.

Kryeprokurori Moreno-Okampo thotë se hetimet e tij po i shqyrtojnë dëshmitë e mundshme se disa ushtarëve të Gadafit u janë dhënë medikamente kundër impotencës, siç është Viagra, me qëllim që të ndërmarrin fushatë të gjerë dhe të orkestruar të dhunimit.

“Në disa hapësira, ne kemi një numër prej qindra njerëzish të dhunuar. Çështja për ne ishte se a mundemi ne që këto dhunime t’ia atribuojmë vetë Gadafit, ose kjo është diçka që ka ndodhur në kazerma dhe është vendosur nga disa njerëz? Këtu kishte hezitim. Por, ne tash po i marrin disa informacione se vetë Gadafi ka vendosur për dhunim. Kjo është çështje e re. Dhunimi është aspekt i ri i represionit”, tha zoti Moreno-Okampo.

Nuk ka pasur komente të menjëhershme për këto akuza nga regjimi i Gafadit, i cili nuk e njeh autoritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale.

Në muajin maj, kryeprokurori Moreno-Okampo kishte shpallur fletarrestim për Gadafin, për djalin e tij, Saif al-Islam, dhe për shefin e Inteligjencës të regjimit, Abdullah el-Sanusi, me akuza për krime kundër njerëzimit, që dyshohet se janë bërë gjatë fushatës për ta goditur kryengritjen popullore në Libi.

Ai tha se akuza për dhunim nuk është përfshirë në fletarrestin fillestar, për shkak të mungesës së dëshmive, gjurmët e të cilave çojnë drejt te politika e Gadafit.

Por, Moreno-Okampo tha se me gjasë do të kërkojë që të shtohen akuzat për dhunime.

“Ne po mbledhim më shumë prova. Ne kemi indikacione interesante për dhunime, pasi dhunimet në Libi nuk ishin taktikë normale e sulmit ndaj disidentëve të dyshuar. Por, tash ne po e konfirmojmë se ne kemi informacion se atje ekzistonte politika e dhunimit, në Libi, ndaj atyre që ishin kundër qeverisë, dhe ne, me gjasë, pasi gjyqtari të vendosë, do të shohim nëse do të paraqesim kërkesë të re, duke i shtuar akuzat për dhunim”, tha Moreno-Okampo, i cili është autorizuar nga rezoluta e 26 shkurtit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, për Libinë, për t’i hetuar dyshimet për krime kundër njerëzimit nga regjimi i Gadafit.

Kombet e Bashkuara tash sa kohë kanë në fokus rritjen e dhunimeve sistematike, si një instrument i luftës.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun, e ka caktuar suedezen Margaret Uallstrom, që të veprojë si e dërguar speciale për dhunën seksuale gjatë konflikteve të armatosura.

Në një fjalim të kohëve të fundit në Braun University, në Shtetet e Bashkuara, Margaret Uallstrom, tha se dhuna seksuale në konflikt është shndërruar në “armë të zgjedhjes”, pasi “është e lirë, e heshtur dhe efektive”.

Dikujt nuk i duhen plumbat ose bombat, vetëm individët me intenca mizore, ndërsa aktet e dhunës seksuale, jo vetëm që i dëmtojnë rëndë viktimat mentalisht dhe fizikisht, por mbjellin edhe farën e shkatërrimit të të gjithë komunitetit. Femrat e mbijetuara, në disa instanca, mbesin shtatzëna, shpeshherë infektohen me AIDS dhe rregullisht refuzohen nga familjet e tyre. Kështu, derisa femrat ecin me turp, kryerësit ecin të lirë”, theksoi Margaret Uallstrom.

Akuzat e para për dhunim në Libi, të mbështetësve të Gadafit, u bënë në muajin maj, nga gruaja Eman al-Obeidi, e cila depërtoi në një hotel të gazetarëve në Tripoli dhe e filloi tregimin pikëllues se ishte dhunuar nga grupi i ushtarëve, që e mbështesnin Gadafin.

Aktualisht ajo është në Rumani, në një kamp të refugjatëve të OKB-së, ku po trajtohet dhe këshillohet. (f.b.)
XS
SM
MD
LG