Ndërlidhjet

Mesazh i keq për investitorët


Emblema e FMN-së
Emblema e FMN-së
Mosrespektimi i marrëveshjes se Fondit Monetar Ndërkombëtar nga ekzekutivi i vendit, përveç se do të ndikojë në qëndrueshmërinë buxhetore, ka dërguar imazh të keq tek investitorët potencial. Kështu thonë njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.


Ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, shprehin shqetësimet e tyre, se ri-dizajnimi i marrëveshjes së Kosovës me Fondin Monetar Ndërkombëtar, dërgon sinjal negativ tek investitorët e huaj.

Kosova ballafaqohet më situatë të vështirë ekonomike dhe ka nevojë për donacione dhe kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, ekzekutivi i vendit është dashur të jetë korrekt karshi rekomandimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Ymer Havolli, nga instituti “Riinvest” shprehet se humbja e asistencës financiare për vitin 2011 nga FMN-ja, përveç se do të paraqes probleme në qëndrueshmërinë buxhetore, ka krijuar imazh të keq karshi investitorëve potencialë.

Kjo do të reflektojë në mënyrë negative tek investitorët e huaj sepse Kosova në këtë kohë ka nevojë mjaft të madhe për investimet e jashtme. Vetë ri-dizajnimi i buxhetit do të jetë një refleksion negativ. Kjo do të ndodhë për shkak se të gjithë investitorët e huaj do ta kenë të qartë se diçka në buxhetin e Kosovës nuk është në rregull”, thotë Havolli.

Udhëheqës të Klubit për Politikë të Jashtme thonë se mos respektimi i marrëveshjes me FMN-në nga qeveria e vendit, është argument shtesë për investitorët ndërkombëtarë se në Kosovë nuk ka klimë të favorshme për investime.

Yll Hoxha, drejtor ekzekutiv në këtë klub, thekson se viteve të fundit edhe ashtu ka pasur rënie të investimeve, ndërsa rasti i fundit me FMN-në, do të dekurajojë edhe më tepër investitorët e huaj që kapitalin e tyre të shtrijnë në Kosovë.

Nga i tërë rajoni, Kosova qëndronte më se keqi edhe për shkak të jo stabilitetit politik, si një prej rreziqeve që shohin investitorët e huaj . Më këtë lloji sjellje, apo më këto raporte që kemi ndërtuar me FMN-në, ku brenda vitit nënshkruajmë një marrëveshje, dhe pastaj e shkelim atë, dërgohet një mesazh i keq. Kjo gjë do të dekurajojë më tutje ata që paranë e tyre të investojnë në Kosovë”, thotë Hoxha.

Ekspertët thonë se autoritetet kompetente tashmë duhet të jenë më seriozë në raport më marrëveshjen e re të FMN-së. Sipas tyre, ekzekutivi duhet të përfill të gjitha rekomandimet e këtij mekanizimi, në mënyrë që të ri- kthejë besimin tek FMN-ja, e rrjedhimisht tek investitorët potencial.

Ylli Hoxha, vlerëson se në radhë të parë ekzekutivi i vendit duhet të pranojë faktin se Kosova është dëmtuar nga anulimi i programeve për kredi nga FMN-ja, e pas kësaj, të merret më marrëveshjen e re.

Ata thjeshtë janë në një gjendje psikologjike të mohimit. Duhet të kalojmë në fazën e pranimit të gabimeve dhe më pas të ulemi se bashku më FMN-në, praninë tjetër ndërkombëtare, në mënyrë që të ndërtojmë politika fiskale të qëndrueshme, të cilat do të garantojnë një partneritet me bashkësinë ndërkombëtare. Ata duhet të tregojnë se Kosova garanton një klimë të favorshme për investime të huaja e jo të kundërtën”, thotë Hoxha.

Ymer Havolli, nga instituti "Riinvest" kërkon nga institucionet shtetërore që t’i shqyrtojnë problemet e krijuara dhe mbi këtë bazë ta ndërtojnë një konsensus.

Duhet përmendur se FMN-ja nuk e ka mbyllur rrugën në tërësi. Duhet të bëjmë angazhime të reja, duhet të bëjmë angazhime të studiuara mirë, në mënyrë që të rikthejmë besueshmërinë tonë te FMN-ja, për shkak se ekonomia e Kosovës ka nevojë për këto investime dhe donacione”, shprehet Havolli.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, më 1 qershor ka njoftuar se ka ndërprerë marrëveshjen 18 mujore me Kosovën, e cila ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010. Pas ndërprerjes se kësaj marrëveshjeje, ky fond ka paraparë që të bëhet një program i monitorimit të personalit dhe deri në fund të vitit.
XS
SM
MD
LG