Ndërlidhjet

Avokati i Popullit dënon dhunën


Policia e Maqedonisë
Policia e Maqedonisë
Avokati i Popullit në Maqedoni ka dënuar arrestimet e fundit të politikanëve opozitarë, si dhe vrasjen e 23-vjeçarit nga një pjesëtar i policisë. Aktet e tilla janë dënuar edhe nga Mirjana Malevska, eksperte e njohur e të drejtave të njeriut. Ajo dhe Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, kanë kërkuar zbardhjen e të gjitha rasteve të dhunës, si dhe reformimin e institucioneve.

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, e ka dënuar ashpër vrasjen 23-vjeçarit të quajtur Martin Neshkovski, i cili të dielën u rrah për vdekje nga një pjesëtar i njësisë speciale “Tigri”.

Mehmeti ka kërkuar nga institucionet e shtetit zbardhjen e menjëhershme të rastit në fjalë dhe që kryesi i veprës të nxirret para organeve të drejtësisë

Jemi tej mase të shqetësuar për faktin se vrasjen e kanë bërë persona, të cilët kanë për obligim të rruajnë paqen, sigurinë dhe rendin publik. Kjo do të thotë se shteti demokratik, në masë të madhe, nuk arrin të funksionojë”, ka deklaruar Mehmeti.

Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti, ka vlerësuar se rrahja deri në vdekje e të riut, nga ana e njësitit policor është pasojë e papërgjegjësisë dhe joprofesionalizmit nga ana e pjesëtarëve të policisë.

Vlerësojmë se një rast i tillë, ku nga ushtrimi i dhunës humbi jetën një i ri në sheshin e qytetit të Shkupit, është pasojë e joprofesionalizmit në punë, mospërgjegjësisë dhe, mbi të gjitha, e mungesës së kontrollit të ushtrimit të profesionit. Gjithashtu, mosndjekja e personave zyrtarë, të cilët tejkalojnë kompetencat, siç është rasti i fundit ku personi zyrtar ka shkaktuar lëndime të rënda trupore që shkaktuan vdekjen e të riut”, ka theksuar Mehmeti.

Ai ka bërë të ditur se në mënyrë të vazhdueshme ka informuar autoritetet shtetërore për nevojën emergjente të reformimit, si të institucioneve, ashtu edhe të kuadrit profesional.

Ndërkaq, aktivistja për të drejtat e njeriut, Mirjana Malevska, ka thënë se respektimi i të drejtave dhe lirive të njeriut paraqet bazamentin themelor, mbi të cilin ndërtohet çdo shoqëri demokratike.

Maqedonia si shet i ri, sipas Malevskës, nuk arrin të vendosë themele të shëndosha të funksionimit institucional. Ajo ka theksuar se dhuna është e pranishme kudo, e fatkeqësisht, në rastin e fundit, mori dhe një jetë njeriu.

Kjo qeveri insiston që të veprojë mbi bazë të rendit dhe sigurisë, por jo rrallë herë ka tejkaluar kompetencat me ushtrimin e dhunës dhe njëkohësisht kufizimin e lirisë dhe të drejtave të njeriut”, ka theksuar Malevska.

Sipas saj, është koha e fundit që pushteti të marrë leksion nga kjo ngjarje e hidhur, përfundimisht të reformojë institucionet dhe të përjashtojë logjikën e dhunës nga ushtrimi i funksionit, duke e zëvendësuar atë me profesionalizëm.

Malevska ka shtuar se edhe arrestimi i politikanëve të opozitës është një spektakël që bëhet për të fshehur problemet e vërteta, me të cilat përballet vendi, kryesisht gjendja e vështirë ekonomike.
XS
SM
MD
LG