Ndërlidhjet

(S’)Ka ndryshime në shëndetësi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Anëtarët e Komisionit për shëndetësi nuk shohin lëvizje pozitive në shëndetësinë kosovare pavarësisht punës dhe angazhimit mjaft të madh të ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani.

Por, vetë ministri Agani ardhjen e tij në këtë institucion e sheh me shumë lëvizje pozitive.
Ferid Agani

“Mendoj se një nga të arriturat është përfundimi i dy ligjeve sistemore dhe draftit të projektligjit të shëndetësisë dhe sigurimeve shëndetësore. Me gjithë problemet e akumuluara, ka qenë vështirë të punohet në ministri, meqë kuadri më i mirë profesional e ka lëshuar punën, ndërsa suksesi kërkon ekip ekspertësh rreth vetes”, thotë Agani.

Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit për shëndetësi nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, thotë se shëndetësia vazhdon të përballet me probleme serioze, derisa shton se pavarësisht punës së ministrit Agani, nuk po vërehet ndonjë ndryshim pozitiv në sektorin e shëndetësisë.

“Ministria nuk ka ndonjë vlerësim pozitiv, edhe pse ministri është munduar të jetë aktiv, por problemet e akumuluara nuk kanë lejuar që kjo kohë të jetë e suksesshme. Kjo ministri është marrë me rishkrimin e Ligjit për sigurime shëndetësore, e që pritet të vijojë në Komisionin shëndetësor, dhe kjo vlerësohet si ndër të arriturat e këtij institucioni”, shprehet Kadrijaj.

Por, ministri Agani thotë se për një kohë të shkurtër sa ai udhëheq këtë ministri, nga buxheti i Kosovës ka kursyer një shumë të konsiderueshme parash, me blerjen e barnave dhe materialit shpenzues.

“Kursimet e realizuara gjatë blerjes së barnave në shumën prej 2 milionë e 700 mijë euro, vetëm në këtë periudhe kohore janë të arriturat e mia”, thekson Agani.

Mirëpo, Kadriaj thotë se qytetarët nuk po mund të vërejnë ndonjë ndryshim në shërbimet shëndetësore, derisa përmend mungesën e vazhdueshme të barnave nga lista esenciale.
Qytetarët e Kosovës nuk e kanë ndjerë ndonjë ndryshim pozitiv.



“Qytetarët e Kosovës nuk e kanë ndjerë ndonjë ndryshim pozitiv. Shëndetësia ende përballet me mungesë të barnave esenciale, si citostatët, insulina; po përballet me barna me afat të skaduar, me trajtim të pacientëve jashtë vendit etj”, shton Kadrijaj.

Ndërkaq, Blerim Syla, nga Sindikata e Shëndetësisë së Kosovës, thotë se prej kur ka ardhur në krye të Ministrisë së Shëndetësisë ministri Ferid Agani, vërehet një frymë më ndryshe.

Mund të them që është një frymë pak më ndryshe dhe ajo bazohet në infrastrukturën ligjore që ministri Agani ka punuar në këtë aspekt. Ka mbledhur përreth vetes shumë ekspertë dhe mund të konsideroj se është një nismë e mbarë e kësaj ministrie, derisa në infrastrukturën menaxhuese ka shumë probleme”, pohon Syla.

Sidoqoftë, ministri Agani premton se me realizimin e sistemit të sigurimeve shëndetësore, do të dyfishohet buxheti i shëndetësisë kosovare, e që, sipas tij, pavarëisht vullnetit të këtij institucioni, mungesa e buxhetit ka qenë pengesa kryesore në realizimin e reformave në përgjithësi në shëndetësi.

Lexoni edhe këto:
Agani: Shëndetësia, mungesa të jashtëzakonshme
Imunizimi, sukses i sistemit shëndetësor
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG