Ndërlidhjet

Manifestime “kuq e zi” për Lidhjen e Prizrenit


Në 133 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, Aleanca Kuq e Zi, organizon në Prizren forumin e intelektualëve, akademikëve, historianëve, sportistëve dhe figurave tjera të njohura shqiptare.

Në këtë forum është paralajmëruar të marrin pjesë personalitete si: Kreshnik Spahiu, Esat Stavileci, Kim Mehmeti, Mehmet Kraja, pastaj futbollisti i njohur Lorik Cana e të tjerë.

Organizatorët kanë paralajmëruar se sot Prizreni do të veshet në petkun kuq e zi.

Në këtë ditë, edhe presidentja Atifete Jahjaga ka paralajmëruar se vizita nëpër Kosovë.

Jahjaga fillon vizitat me nderimet në Kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz dhe viziton familjen Jashari, pastaj do të bëj nderime në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në Gllogjan dhe në fund viziton Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Në këtë përvjetor, edhe Rrjeti i Organizatave Shqiptare organizon aktivitete të cilat do të mbahen në Prizren.

Ky rrjet ka paralajmëruar stolisjen e qytetit të Prizrenit me flamuj shqiptar, duke veçuar se do të vendoset një flamur i madh shqiptar në kalanë e Prizrenit, kurse parashihet edhe defilim i motoristave me flamuj kombëtarë, lëshim me parashutë me posterin "Lidhja është gjallë", dhe aktivitete tjera.

Lidhja e Prizrenit njihet si datë me rëndësi tek shqiptarët, por këtë vit duket të ketë një mobilizim më të madh për manifestime sesa viteve tjera.

Nga këndvështrimi historik, Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878 - 1881) zyrtarisht filloi me tubimin e 300 përfaqësuesve të të gjitha krahinave shqiptare në kuvendin shqiptarë të mbajtur në Prizren më 10 qershor 1878.

Sipas të dhënave historike, qëllimi i takimit ishte formimi i një shteti autonom shqiptar që do të mbulonte vilajetet otoman të Prizrenit, Shkodrës, Manastirit, dhe Janinës.

Lidhja njihet si përpjekja e parë e madhe për të krijuar një rajon të bashkuar shqiptar qysh nga dështimi i forcave të Skënderbeut në Mesjetë.
XS
SM
MD
LG