Ndërlidhjet

Britanikët dhe francezët kategorikë kundër ndarjes


Prishtinë

Prishtinë

Ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Francës kanë deklaruar se dialogu Prishtinë – Beograd nuk mund të rrëshqas në çështjen e ndarjes së Kosovës. Ambasadori britanik Jan Klif dhe ai francez Zhan Fransua Fitu, gjatë paraqitjeve të ndara për media thanë se statusi i Kosovës dhe kufijtë e saj janë çështje e mbyllur dhe nuk mund të rihapen për diskutim.

Nëse Serbia do të kërkonte hapjen e bisedimeve për ndarjen e Kosovës, këshilla britanike për qeverinë në Prishtinë do të ishte t’i refuzonte këto bisedime, tha ambasadori i Britanisë së Madhe, Jan Klif. Këto komente, ambasadori Klif i ka bërë gjatë një panel-diskutimi të organizuar nga lëvizja Fol.

Ambasadori britanik tha se agjenda e bisedimeve Prishtinë – Beograd përfshinë çështjet praktike dhe jo ato të ridefinimit të kufijve. E në rast se Serbia zyrtarisht do ta ngriste këtë çështje, ai tha se nuk ka nevojë të pranohet të diskutohet për këtë temë.

Këshilla ime për qeverinë e Kosovës do të ishte thjeshtë që të refuzonte të diskutonte dhe jo të lëshonte tavolinën e bisedimeve për çështjet praktike. Ndarja nuk është në agjendën e politikës britanike dhe sa kemi parë ne as në agjendën e politikës zyrtare në Kosovë, përfshi edhe opozitën” tha Jan Klif.

Këshilla ime për qeverinë e Kosovës do të ishte thjeshtë që të refuzonte të diskutonte dhe jo të lëshonte tavolinën e bisedimeve për çështjet praktike.
Ambasadori britanik rikujtoi reagimet negative që pasuan deklaratën e zëvendëskryeministrit të Serbisë, Iviça Daçiq, për ndarjen e Kosovës, përderisa bisedimet teknike po vazhdojnë.

Ai tha se përveç politikës evropiane që kishte kundërshtuar këto ide, edhe Shqipëria e Mali i Zi së fundi kanë dalë publikisht kundër rishikimit të kufijve në Ballkan. Madje, ide të tilla janë në kundërshtim me interesat serbe dhe të Kishes Ortodokse, vijoi Klif.

Mendoj se nuk është as në interesin e Kishës Ortodokse serbe, sepse një ndarje e tillë do t’i linte jashtë manastiret poshtë lumit Ibër”, tha ambasadori Klif.

Pozicione të ngjashme me ambasadorin britanik ka prezantuar edhe ambasadori francez në Prishtinë, Zhan Fransua Fitu, gjatë një konference për gazetarë.
Pavarësia, sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk do të jene tema diskutimi në dialogun që po zhvillohet ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, tha Fitu.

Diplomati francez ritheksoi se ideja e ndarjes së Kosovës nuk është në “lojë”, dhe se asnjë vend evropian nuk e përkrah idenë e ndarjes.

Epoka kur janë vizatuar kufijtë e Evropës, epoka kur janë definuar shtetet e Evropës ka përfunduar. Kjo është një çështje e përfunduar”, shtoi Fitu.

Ai ka komentuar edhe procesin aktual të bisedimeve dhe paralajmërimet që takimi i radhës i paraparë për mesin e qershorit mund të shtyhet.
Fitu tha se arritja e marrëveshjeve është shtyrë për shkak se palët e përfshira në bisedime janë shumë të angazhuara.

Në Beograd dhe Prishtinë ka pikëpyetje rreth temave që janë diskutuar, por mendoj se më shumë pikëpyetje ka në Beograd”, tha ambasadori francez.

Tema e ndarjes, është lëshuar nga përfaqësues të lartë të qeverisë së Serbisë në kohën kur bisedimet Prishtinë – Beograd kishin nisur, dhe në agjendën e tyre kishin rregullimin dhe marrëveshjet për disa aspekte teknike.

Ky dialog, sipas ndërmjetësuesve nga Brukseli, ka për qëllim inkurajimin dhe inicimin e bashkëpunimit ndër fqinjësor ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Dialogu nuk ka për qëllim rihapjen për diskutim të statusit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG