Ndërlidhjet

Operacionet e zemrës, të pamundshme


Fotografi ilustrative
Fotografi ilustrative
Në Njësinë e Kardiologjisë invazive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, pavarësisht furnizimit me material të nevojshëm për operacionet e zemrës, ato nuk janë kryer për kohë shumë të gjatë.

Materiali prej 800 mijë eurosh, i cili ka shkuar në këtë klinikë, nuk është shfrytëzuar, derisa shumicës së materialeve që arrijnë vlerën e 600 mijë eurove, u ka skaduar afati, deklaron sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Tolaj.

Ai thotë se një nga problemet më të mëdha që e hasin gjatë furnizimit me barna dhe material shpenzues, është edhe planifikimi joadekuat.

Furnizimi për Kardiologjinë invazive ka qenë rreth 800 mijë euro dhe më shumë se gjysma e materialit nuk është shfrytëzuar dhe i ka kaluar afati i skandencës. Ky është me të vërtetë një veprim që përkufizohet në mënyrë serioze me krim”, thotë Tolaj.

Pas një kohe të gjatë stagnimi në këtë drejtim, njësia e kardiologjisë ka bërë rreth 80 koronorografi, ndërsa janë vendosur 16 stente në zemër. Menjëherë pas kësaj pune intensive, sërish vazhdojnë problemet me mungesë të materialit shpenzues.

Tefik Bekteshi, kardiolog, thotë se patologjia e sëmundjes koronare është një nga më të mëdhatë e popullatës dhe kërkesat janë tejet të mëdha. E vetmja gjë që kufizon këtë punë është mungesa e materialit.

Është fjala për numrin e stendave, llojllojshmërinë së tyre , si në aspektin e cilësisë po ashtu edhe dimensioneve të tyre. Mendoj se kjo është një çështje që duhet të shqyrtohet me një kujdes të madh mes QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thekson Bekteshi.

Sipas Tolajt, stagnimi i punës për shkak të furnizimit me materialin e duhur, është i natyrës teknike dhe ligjore.

Është e vërtetë që kanë mungesë në materialin që iu nevojitet për të vazhduar me këtë tempo. Problemin që e kam para vetes është i natyrës edhe teknike, por edhe ligjore”.

“Meqë ne kemi kontratë me një kompani që bën furnizimin e këtij materiali, sepse shumicës së materialit që është marrë, i ka skaduar afati. Ne jemi duke kërkuar zgjidhje që një pjesë të përgjegjësisë për këtë dështim ta marrë edhe kompania që ka furnizuar në këtë mënyrë
”, thotë Tolaj.

Tefik Bekteshi thotë se vazhdimisht bëhen kërkesa për furnizim me dimensione të nevojshme të stendave, meqë numri i pacientëve që presin për shërbim është shumë i madh.

Kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë, duke kërkuar numër të caktuar të stendave, por tenderi ka qenë burimor dhe mendoj se këtu qëndron problemi i mosfurnizimit”, bën të ditur Bekteshi.

Ndërkaq,Tolaj shpjegon për problemin që kanë me kompani të caktuara, e që siç i quan ai, janë të disfavorshme për institucionet shëndetësore.

Këtë gjashtë mujor të parë të vitit, unë kam qenë në kërkim intensiv për ndryshimin e këtyre kontratave, nga kontrata fikse në kontrata kornizë. Kjo do të thotë se duhet t'i marrim ato çka neve na nevojiten dhe aq sa kemi të holla. Deri tani kanë ekzistuar kontrata që kanë qenë të disfavorshme për institucionet shëndetësore”, shpjegon Tolaj.

Në Klinikën e Kardiologjisë Invazive, pavarësisht porosive shumë të kushtueshme, shumë pacientëve u mbetet të operohen në klinika private, apo edhe jashtë shtetit.
XS
SM
MD
LG