Ndërlidhjet

Të pezullohet privatizimi i PTK-së


Punëtorët e Posë-Telekomit të Kosovës duke protestuar para Kuvendit kundër privatizimit të PTK-së.
Punëtorët e Posë-Telekomit të Kosovës duke protestuar para Kuvendit kundër privatizimit të PTK-së.
Përfaqësues të organizatës “Çohu” kërkojnë nga institucionet kosovare pezullimin e privatizimit të PTK-së. Kërkesa pason ngritjen e akt- akuzave nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndaj drejtorit dhe katër personave të tjerë të kësaj kompanie. Zhvillimet e fundit, sipas organizatës “Çohu” dhe njohësve të rrethanave ekonomike, do t’i zhvlerësojnë asetet e PTK-së.


Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, kërkon nga autoritetet kompetente pezullimin e privatizimit të Postë-Telekomit të Kosovës.

Avni Zogiani, udhëheqës i kësaj organizate, thotë se ngritja e disa akt- akuzave nga Prokuroria Speciale e Kosovës, dëmton procesin e privatizimit të PTK-së, duke zhvlerësuar çmimin e kësaj kompanie.
...duhet të ndërpritet procesi i privatizimit, ngase është i përfshirë nga konflikti i interesit...


“Tërë këto akuza në momentin e tanishëm kur pritet të finalizohet tenderi për shitjen e PTK-së, nuk do të kenë efekt tjetër, përveç rënies së çmimit të vlerës së PTK-së”.

“Prandaj, duhet të ndërpritet procesi i privatizimit, ngase është i përfshirë nga konflikti i interesit. Kjo ngase po bartet nga një Qeveri e kapur nga interesat private, sepse Kuvendi është shkelur në tërë këtë proces”, thotë Zogiani.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Kosovës të mërkurën ngriti aktakuzë ndaj drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha, mbi bazën e dyshimit se i njëjti ka keqpërdorur detyrën zyrtare dhe autorizimet. Përveç Haxhës, aktakuza përfshin edhe katër persona të tjerë.

Aktakuza kundër pesë të pandehurve është ngritur në kontekstin e një hetimi në lidhje me marrëveshjen për Operatorin e Rrjetit Mobil Virtual (ORRMV) ndërmjet PTK-së dhe Dardafon-it dhe transferimin e mëvonshëm të licencës për Dardafon.net në vitin 2008 dhe 2009.

Por, Anvi Zogani thotë se kontrata me kompaninë Dardafon, për të cilën janë ngritur këto akt-padi, është përgatitur, mbrojtur dhe imponuar nga Qeveria, kurse, sipas tij, të akuzuarit janë vetëm nënshkruesit dhe zbatuesit e kësaj kontrate.

Për këtë Zogiani konsideron se Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet urgjentisht dhe të nisë një proces hetimor në lidhje me ndikimin politik në vendosjen e kontratave të dëmshme për PTK-në.

Kemi të bëjmë me akuza ndaj udhëheqësve të PTK-së, ndërkohë që kontrata në fakt është përgatitur nga niveli politik. Të gjithë e dimë se zyrtarët aktualë të PTK-së, kontratën me Dardafonin e kanë pasur si një kusht, nëse dëshirojnë të bëhen menaxherë të PTK-së. Kontrata e Dardafon-it është përgatitur shumë më herët se sa ky menaxhment të jetë në zyrë”, thotë Zogiani.

Edhe njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se akuzat e ngritura ndaj udhëheqëseve të PTK-se do ta dëmtojnë imazhin e saj para investitorëve potencialë.

Kushtrim Puka, thotë se zhvillimet e fundit do të reflektohen në përkeqësimin e çmimit dhe dinamikës së shitjes së kësaj kompanie.
...aktakuzat e fundit, po e rëndojnë imazhin e PTK-së edhe mendoj se kjo do t’i zhvlerësojë aksionet dhe çmimin e blerjes.



“Tani kur janë afër dy kompani, aktakuzat e fundit, po e rëndojnë imazhin e PTK-së edhe mendoj se kjo do t’i zhvlerësojë aksionet dhe çmimin e blerjes”, thekson Puka.

Në garë për blerjen e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit kosovar janë vetëm dy kompani. Përpos Telekomit kroat, që si kompani amë e ka Telekomin gjerman, në garë vazhdon të jetë edhe Telekomi austriak.

Lidhur me dyshimet për korrupsion, gjatë dhënies së një licence të telekomunikimit, në korrik të vitit të kaluar, EULEX-i kishte bastisur edhe Postë-Telekomin e Kosovës, në mesin e tetë lokacioneve tjera.

Pjesë e bastisjeve kanë qenë edhe pronat private të kryeshefit të PTK-së, Shyqyri Haxha.
XS
SM
MD
LG