Ndërlidhjet

Maqedoni: Roli i shqiptarëve në qeverinë e re


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Rezultati i zgjedhjeve të 5 qershorit në Maqedoni, fuqizon partinë fituese shqiptare, pasi partia fituese maqedonase, nuk do të mund të formojë qeverinë pa votat e shqiptarëve. Analistët politikë presin që subjekti politik shqiptar të kushtëzojë qeverisjen me VMRO-DPMNE-në me kërkesa më të mëdha në raport me pozitën e shqiptarëve.


Partitë politike që fituan zgjedhjet, VMRO-DPMNE dhe BDI, do t’i respektojnë të gjitha procedurat ligjore sa i përket formimit të kabinetit ri qeveritar, andaj nuk komentojnë asgjë sa i përket dukjes së kabinetit të ri dhe ndarjes së posteve ministrore.

Duke komentuar numrin e mandateve në përbërjen e re parlamentare, analistët thonë se kësaj radhe në përparësi është subjekti politik shqiptar, që mund të përfitojë si në marrjen e ministrive me rëndësi më të madhe, ashtu edhe në realizimin e kërkesave tjera, përmes përfshirjes së tyre në punën e programit qeveritar.

“Kjo është mënyra më e drejtë e veprimit. Pra, mënyrat e vjetra të veprimit kur subjektet politike shqiptare hynin në Qeveri me vetëm disa kërkesa, unë mendoj se duhet t'i takojnë të së kaluarës. Konsideroj se jo vetëm përfaqësimi i drejtë, por edhe bashkëqeverisja të jetë pjesë fundamentale e marrëveshjes së re që do të mundësojë formimin e qeverisë së re”, thotë analisti Albert Musliu.

VMRO-DPMNE në përbërjen e kaluar parlamentare kishte 63 mandate dhe vetë mund të formonte Qeverinë, por tani nuk e ka një mundësi të tillë pasi ka siguruar vetëm 56 ulëse nga gjithsej 123 sa Kuvendit i Maqedonisë.

Relacioni i këtillë i forcave në Kuvend, sipas Tanja Karakamisheva, ish-politikane dhe tani ligjëruese universitare, flet qartë për peshën që kanë 25 votat e deputetëve shqiptarë, e në veçanti ato të BDI-së, e cila pritet të vazhdojë qeverisjen me partinë VMRO-DPMNE.

“BDI-ja kësaj radhe mund të ketë kërkesa më të mëdha në raport me zgjidhjen e më shumë çështjeve të hapura. Ajo mund të vendosë edhe afate për zgjidhjen e tyre. Pra, mund të ketë edhe afate për zgjidhjen e kërkesave. Mund të ketë edhe kushtëzime politike për vazhdimin e qeverisjes, përfshirë edhe zgjidhjen e kontestit rreth çështjes së emrit”, thekson Karakamisheva.

Ndërkohë, sipas analistit Musliu, nuk duhet përjashtuar edhe mundësinë e ndonjë koalicioni ndërshqiptar, që në rast se ndodh, do t'i jepte shqiptarëve forcë shumë të madhe politike për të realizuar synimet e tyre programore, që edhe janë të ngjashme për çështjet që kanë të bëjnë me avancimin e pozitës së shqiptarëve.

Subjektet politike shqiptare duhet të negociojnë me qëllim që të kenë përfitime më të mëdha për elektoratin e tyre. Ato e kanë për obligim që kërkesat e elektoratit t'i materializojnë dhe për ta bërë këtë duhet të jenë të gatshëm edhe për negociata edhe për kompromise. Por, pa dyshim se pozitën e kanë shumë më të mirë sesa që e kishin disa javë më parë”, potencon Musliu.

Në bazë të Kushtetutës, Qeveria e re duhet të formohet më së voni deri më 10 gusht. Paraprakisht duhet të konstituohet përbërja e re parlamentare, kurse afati i fundi është 25 qershor, pastaj presidenti i shtetit t’i japë mandatin partisë fituese, në këtë rast kreut të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, i cili brenda 20 ditësh, duhet të paraqesë në Kuvend për miratim, programin dhe përbërjen e qeverisë së re.
XS
SM
MD
LG