Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Shqiptarët mund të vënë kushte


Kontesti rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë, sipas analistëve, ka mundësi të zgjidhet pas formimit të qeverisë së re.

Kontesti rreth emrit të Maqedonisë me Greqinë, sipas analistëve, ka mundësi të zgjidhet pas formimit të qeverisë së re.

Rezultati i zgjedhjeve të 5 qershorit ka krijuar pozicione më të favorshme në raport me zgjidhjen e kontestit rreth emrit, nëse kjo shfrytëzohet nga partia shqiptare për të kushtëzuar partinë fituese maqedonase, VMRO-DPMNE, për mbylljen e këtij kontesti shumëvjeçarë, por edhe nëse procesi i këtillë nuk vazhdon të pengohet nga opozita, vlerësojnë analistët politikë, duek komentuar kërkesat e shtuara të komunitetit ndërkombëtar për zgjidhjen e çështjes së emrit.

Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik, thotë se BDI-ja si parti fituese te shqiptarët, më nuk mund të arsyetohet në numrat që kishte partia e Gruevskit në përbërjen e kaluar parlamentare. Por, sipas Ramadanit, BDI-ja duhet të bëjë trysni për zgjidhjen e këtij problemi, pasi ky ishte edhe ndër prioritetet kryesore të programit të saj zgjedhor.

Në pozicion pak më të vështirë, por më të favorizuar do të jetë eventualisht BDI-ja, si partnere e koalicionit, për faktin se tani e ka mundësinë që ta kushtëzojë përbërjen e qeverisë. Në qoftë se sinqerisht ata bëjnë ndonjë presion duke animuar, kuptohet, edhe faktorin ndërkombëtar dhe krejt këtë duke e lidhur me të ardhmen e Maqedonisë, atëherë do të ketë një debat interesant brenda qeverisë së ardhshme, brenda partnerëve”, vlerëson Ramadani.

Zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, një ditë më parë kanë përsëritur kërkesën për zgjidhjen e kontestit rreth emrit të Maqedonisë, që kjo e fundit të mund të ndjekë rrugën e Kroacisë, e cila në korrik të vitit 2013 do të bëhet anëtare e BE-ë.

Por, analisti Zdravko Savevski thotë se në klimën, në të cilën aktualisht ndodhet vendi, vështirë se mund të pritet ndonjë konsensus pavarësisht pozicionit të favorshëm që ka krijuar relacioni i ri i forcave në Kuvend, ku, VMRO-ja më nuk ka shumicën absolute për të vendosur për gjithçka.

“Përfundimisht, një çështje shumë e madhe siç është emri apo gjetja e një kompromisi për këtë problem, kërkon një konsensus të gjerë ndërpartiak. Por, klima në të cilën ndodhet shteti, është e atillë që në vend të dialogut dhe bashkëpunimit, ofron tensione, që për fat të keq nuk lë edhe shumë hapësirë për debate serioze për mbylljen e këtij problemi”, thotë Savevski, duke aluduar në arrestimet e fundit të liderëve opozitarë, por edhe në dhunën shtetërore, siç është cilësuar nga opozita, vrasja e të riut 23-vjeçar nga policia.

“Neve, përfundimisht na është ngadalësuar treni për në Bashkimin Evropian. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me çështjen emrit me Greqinë, por edhe për shkak të proceseve tjera retrograde që janë duke ndodhur në shtet, e që janë në kundërshtim me parimet demokratike”, thekson Savevski.

Ndërkohë, sa i përket rolit të opozitës, Ismet Ramadani thotë se ato nuk do të jenë konstruktive, pasi do t’i përdorin të gjitha metodat e mundshme që përgjegjësinë për çështjen e emrit t’ia lënë pushtetit.

“Nuk besoj se LSDM-ja do t’i afrohet VMRO-DPMNE-së lidhur me ndonjë konsensus eventual. Unë mendoj se ato do të mundohen që në forma të ndryshme VMRO-DPMNE-në ta lënë në nivel të përgjegjësisë dhe të një testi që duhet ta kalojë dhe që do të jetë shumë i rëndë ”, përfundon Ramadani.
XS
SM
MD
LG