Ndërlidhjet

A do qëndrojnë trupat amerikane në Irak pas 2011-s?


Trupat amerikane në Irak (Foto nga arkivi)
Trupat amerikane në Irak (Foto nga arkivi)
Po rriten shenjat që tregojnë se një pjesë e trupave amerikane mund të vazhdojnë të qëndrojnë në Irak, edhe pas 31 dhjetorit që është data e caktuar nga presidenti Barak Obama, për tërheqje nga Iraku.

Shenja e fundit vjen nga Leon Paneta, i përzgjedhuri i Obamës për të qenë sekretar i ardhshëm i Mbrojtjes.

Gjatë seancës së Senatit për konfirmimin e nominimit të tij, në kohën kur Paneta ka thënë: “Unë mendoj që është e qartë se Iraku është duke e shqyrtuar mundësinë për të bërë kërkesën për vazhdimin e një pranie ushtarake në atë vend”.

Sugjerimi që Uashingtoni mund të lejojë vazhdimin e një pranie ushtarake në Irak, duket se është në kontradiktë me Obamën që shpesh e ka përmendur përkushtimin e tij që t’i largojë të gjithë trupat amerikane deri në fund të vitit.

Analisti politik, Hashem Hasan, ligjërues në Universitetin e Bagdadit, ka thënë se qeveria irakiane, gjithashtu, duket se çdo herë e më shumë po mendon që një pjesë e trupave duhet të vazhdojë të qëndrojë në Irak.

Më mirë se sa një tërheqje e plotë, kryeministri së fundi ka lënë të kuptohet se një vendim rreth kësaj çështjeje duhet të merret në bazë të një konsensusi ndërmjet të gjithë fraksioneve politike. Ky është një diskurs i ri që është ndryshe nga pozicioni i mëparshëm për tërheqje totale. Ky është indikacioni i parë. I dyti është se zyrtarët e sigurisë, përfshirë edhe shefin e stafit, kanë shprehur një qëndrim identik për vizionin amerikan që forcat irakiane nuk janë në gjendje që të luftojnë në aspektin e trajnimit dhe pajisjeve deri në vitin 2020”, vlerëson Hasan.

Të hënën, së paku 13 persona u vranë dhe 15 të tjerë u lënduan kur një sulmues vetëvrasës e hodhi veten në erë në qytetin Tikrit në pjesën qendrore të Irakut.

Shpërthimi ndodhi në kohë kur oficerët ushtarak irakianë ishin duke e mbikëqyrur dorëzimin e një pike kontrolli nga ushtria në përgjegjësi të policisë.

Vetëm pak ditë më parë, së paku 21 persona u vranë dhe 70 të tjerë u lënduan në dy sulme me bombë, në të njëjtin qytet.

Momentalisht, shumica e 47 mijë ushtarëve amerikanë në Irak, janë të vendosur në afërsi të zonave që ende konsiderohen të nxehta, në afërsi të Bagdadit dhe Mosulit.

Akademiku libanez dhe analisti, Imad Rik, i ka thënë Radios Iraku i Lirë, se ruajtja e stabilitetit në Irak është kritike tash, jo vetëm për Irakun por edhe për rajonin e gjerë.

“Duke e pasur në konsideratë pranverën arabe dhe rigrupimin e militantëve salafistë, unë mendoj që një prani ushtarake amerikane, që do të vazhdojë t’i përkrahë forcat irakiane, do të ishte një shtytje e madhe për të kaluar në fazën tjetër për t’i ndihmuar qeverisë irakiane për të krijuar stabilitet. Rajoni arab në përgjithësi, dhe Iraku në veçanti kanë nevojë për stabilitet, promovim të rritje të ekonomisë dhe të arrij pajtimin politik”, ka vlerësuar Rik.

Përpos vazhdimit të aktiviteteve të kryengritjes në Irak, ekziston edhe një presion i fuqishëm për mbajtjen e forcave amerikane në shtet. Fjala është për tensionet ndërmjet arabëve dhe kurdëve.

Me kaq shumë çështje që vazhdojnë ta lënë të mjegullt situatën e sigurisë në Irak, pyetja që mbetet pezull duket se është ajo se sa trupa amerikane do të jenë të nevojshme për ta ruajtur paqen në të ardhmen.

SHBA-të deri më tash kanë humbur 4400 ushtarë në Irak, kanë pasur më shumë se 32 mijë të lënduar, ndërsa operacionet e deritashme kanë shkaktuar disa qindra miliardë dollarë amerikanë.(a.h.)
XS
SM
MD
LG