Ndërlidhjet

Jahjaga: Kosova, faktor i rëndësishëm në Ballkan


Presidentja Atifete Jahjaga
Presidentja Atifete Jahjaga
Prishtina shënoi ditën e saj në 12-vjetorin e çlirimit nga regjimi okupues serb. Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha se e kaluara e kosovarëve shërben si kujtesë për të ndërtuar të ardhmen e vendit dhe se Kosova po bëhet një faktor i rëndësishëm në Ballkan. Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, duke përkujtuar ditën e çlirimit të kryeqytetit të Kosovës, falënderuar të gjithë ata që kontribuuan për çlirimin e vendit.

Çlirimi i Prishtinës, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, 12 vjet më parë, shënoi fundin e suksesshëm të një epoke të gjatë të përpjekjeve të kosovarëve për liri dhe demokraci, vlerësoi presidentja e Kosovës, Atifete Jajhjaga.

Në një ceremoni të organizuar nga komuna e Prishtinës, me të cilën u shënua 12-vjetori i çlirimit të kryeqytetit kosovar, presidentja Jahjaga tha se liria e Kosovës ishte rezultat i lëvizjes së gjatë aktive paqësore, që simbolizohet me ideologun dhe arkitektin e platformës së pavarësisë, presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova, si dhe rezistencës së armatosur që identifikohet me Adem Jasharin, që në Kosovë njihet si komandant legjendar i ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se çlirimi i Prishtinës dhe i gjithë Kosovës ndërlidhet me ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe intervenimeve të drejtpërdrejta të NATO-s kundër caqeve serbe.

“E kaluara jonë shërben si kujtesë që ta ndërtojmë të ardhmen, duke pasur në mendje se ne jemi vazhdimësi e atyre veprimtarëve, intelektualëve, luftëtarëve, të atyre brezave që me punën e tyre na mundësuan që ne sot të jemi këtu, që të ndërtojmë shtetin demokratik të Kosovës, të jemi faktor i respektuar dhe të kemi miq ndërkombëtarë”, tha Jahjaga.

Presidentja Jahjaga theksoi se çlirimi i Kosovës dhe shpallja e saj shtet sovran dhe i pavarur është vepër madhore e shumë brezave që u sakrifikuan për këtë çështje, ndërkaq, ky shtet, siç tha ajo, sot po bëhet faktor në rajon.

Atmosfera në Prishtinë më 11 qershor 2011
“Pavarësia e Kosovës është shprehje e vullnetit të popullit. Është proces real që ka krijuar paqe dhe stabilitet në rajon. Shteti i Kosovës po bëhet një faktor i rëndësishëm në Ballkan, duke zhvilluar marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe duke dhënë kontributin në nismat rajonale dhe ndërkombëtare. Republika e Kosovës do të bëhet anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe sa më shpejt që të arrihet ky synim, aq më shpejt rajoni do të integrohet në Bashkimin Evropian dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare, në të cilat do ta japim kontributin tonë”, theksoi presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, falënderoi të gjithë ata që sakrifikuar dhe kontribuar për çlirimin e Prishtinës dhe Kosovës në përgjithësi.

“Në nderim të kësaj dite të madhe i kujtojmë dhe respektojmë të gjithë ata që ranë dhe punuan për liri. I falënderojmë miqtë tanë perëndimorë, forcat e NATO-s, të KFOR-it dhe mekanizmat ndërkombëtarë që na ndihmuan dhe janë duke na ndihmuar që Kosova të jetë jo vetëm shtet i lirë, por të jetë një shtet i zhvilluar, modern dhe të jetë një shtet i integruar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Mustafa.

Mustafa shtoi se 12 vjet pas çlirimit, në Prishtinë janë bërë ndryshime të dukshme pozitive.
Isa Mustafa

“Dymbëdhjetë vjet pas përfundimit të luftës, qytetarët e Kosovës po jetojnë dhe punojnë në rrethana dhe kushte gjithnjë e më të përparuara. Këtë po e bëjnë edhe qytetarët e Prishtinës. Edhe pse vitet po ecin dhe jetesa e qytetarëve po ndryshon në kuptimin pozitiv, ne në asnjë mënyrë nuk do t’i harrojmë bijtë dhe bijat e këtij vendi, që jetën e tyre ia kushtuan lirisë dhe mirëqenies së këtij populli”, shtoi Mustafa.

Më 11 qershor, 12 vjet më parë, njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishin depërtuar në kryeqytetin kosovar, në natën që trupat ruse kishin marrë aeroportin e Prishtinës.

Një ditë më vonë, trupat tokësore të NATO-s kishin depërtuar në territorin e Kosovës, gjë që bëri forcat serbe të tërhiqen nga vendi.
XS
SM
MD
LG