Ndërlidhjet

logo-print
Analistë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se institucionet e Kosovës duhet të iniciojë projekte për partneritet publiko-privat, pasi që, siç thonë ata, kjo do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik të vendit. Kohë më parë, edhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë konfirmuar se kanë disa projekte, të cilat do të realizohen përmes partneritetit publiko-privat.


Ligji i partneritetit publiko-privat, i hartuar para dy vjetësh, po u nënshtrohet disa ndryshimeve, me qëllim të evitimit të defekteve të identifikuara.
`
Zyrtarë të Ministrisë së Financave këtë ligj e konsiderojnë mjaft të rëndësishëm për reformat që është duke i ndërmarrë Qeveria në ekonomi, respektivisht për përfshirjen e sektorit privat në infrastrukturë dhe shërbime publike.

Lorik Fejzullahu, udhëheqës i Njësisë së Partneritetit publiko-privat në Ministrinë e Financave, jep më shumë hollësi:

“Ndryshimet jemi duke i bërë kryesisht për ta përafruar me direktivat e Unionit Evropian. Ka disa qartësime që do të fuqizojnë përfshirjen e sektorit privat në infrastrukturë dhe shërbime publike, duke qartësuar metodën, punën dhe atë se si do të ecim përpara, gjë që iu ndihmon edhe investitorëve potencialë”.

Ndryshe, sipas Ligjit të partneritetit publiko-privat, deri tani është zbatuar vetëm një projekt - dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se Ligji për partneritet publiko-privat duhet të gjejë zbatim.
Berat Rukiqi

“Ligji ka qenë shumë i mirëseardhur dhe ka qenë i përkrahur nga komunitetit i biznesit si një mundësi që ajo që nuk mund të përballohet nga investimet publike, të futet në programet e partneritetit publiko-privat, në mënyrë që t’i rrisë shërbimet ndaj qytetarëve, përmes formave të tilla të partneritetit”, thotë Rukiqi.

Partneritetin publiko privat, Rukiqi e konsideron si një nga mundësitë më të mira të zhvillimit ekonomik. Ai thotë se realizimi i këtyre projekteve do të ndihmojë që në një të ardhme të afërt të kemi zhvillim më të hovshëm ekonomik.

Ne e kemi një projekt të suksesshëm të partneritetit publiko-privat, siç është ai i Aeroportit, por ne duhet të punojmë që edhe në fushat tjera, aty ku ka nevojë për shërbime më të avancuara, sidomos shërbime publike, si edhe në shërbime tjera, të futen këto lloj projektesh. Është një listë e projekteve që pritet të aprovohen”, shpjegon Rukiqi.

Zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë bërë ndryshimet adekuate në Ligjin e partneritetit publiko-privat, pas vërejtjeve dhe sugjerimeve të Komisionit Evropian.

Këto ndryshime, janë të ndërlidhura me prokurimin publik dhe janë bërë me qëllim të harmonizimit me legjislacionin që zbatohet në Bashkimin Evropian.

Lorik Fejzullahu sqaron për Radion Evropa e Lirë se ky ligj do të specifikojë procedurat e prokurimit, prandaj duhet të harmonizohet edhe me Ligjin e prokurimit publik.

“Për shkak se i referohemi Ligjit të prokurimit publik në shumë instanca, tash është dashur ta harmonizojmë edhe me Ligjin e prokurimit. Kështu që është duke u bërë një harmonizim i dy ligjeve”, thekson Fejzullahu.

Në anë tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, kohë më parë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka deklaruar se në kuadër të prioriteteve për zhvillimin ekonomik, kanë lansuar edhe ide të reja për projekte përmes partneritetit publiko-privat.

“Në kuadër të prioriteteve për zhvillimin ekonomik, kemi lansuar edhe ide të reja për projekte, siç është ndërtimi i rrugës Prishtinë - Shkup. Kjo nuk do të bëhet me mjete të buxhetit, por do të shkohet ose me PP ose përmes koncesionimit. Edhe për këtë ka shumë investitorë të interesuar”, kishte deklaruar Beqaj për Radion Evropa e Lirë.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG