Ndërlidhjet

Sikorski: Debakli në Ballkan, të mos përsëritet


 Radoslav Sikorski
Radoslav Sikorski
Gjatë qëndrimit në Varshavë, presidenti amerikan, Barak Obama, pati thënë se Polonia duhet të shërbejë si një shembull për demokracitë e reja në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore.

Prandaj, shtrohet pyetja se a do të jetë kjo njëra nga çështjet e presidencës së Polonisë në BE?

“Po, do të jetë. Unë e kam vizituar Bengazin dhe kam biseduar me Këshillin transitor atje dhe zbulova se ajo, me të cilën do të ballafaqohen ata në Libi, nëse dhe kur ata do ta marrin autoritetin në Tripoli, është shumë e ngjashme me atë që cilën u ballafaquam ne para 22 vjetësh. Nëse ju e ndani procesin transitor në komponentët e tij, atëherë ata do të duhet të përgjigjen se a dëshirojnë sistem presidencial ose parlamentar. Pastaj, çka të bëhet me policinë sekrete të së kaluarës ose çka të bëhet me ish-partinë në pushtet”, thotë Radosllav Sikorski, ministër i Jashtëm i Polonisë.

Sikorski thekson se pyetje të tjera, që shtrohen në këtë periudhë transitore në Libi, janë edhe çka të bëhet me sistemin e drejtësisë, pastaj me personat në mërgim, cila është marrëdhënie korrekte ndërmjet shtetit e religjionit, e të tjera.

Në këtë kuadër, ministri Sikorski konsideron se rajoni, e veçanërisht Polonia, është shembull i përshtatshëm për të gjetur zgjidhje të mundshme, jo vetëm për suksese, por edhe për shumë dështime.

Njëra nga çështjet aktuale gjatë presidencës së Polonisë në Bashkimin Evropian, që fillon më 1 korrik të këtij viti, do të jetë edhe politika e përbashkët e mbrojtjes evropiane dhe e sigurisë.

Pra, cila është, sipas zotit Sikorski, mënyra më e mirë për të ecur përpara për Poloninë në këtë fushë?

“Polonia do të dëshironte të kishte dy politika të sigurisë, e jo vetëm një. Besoj se NATO-ja është aleancë ushtarake e përkushtuar për mbrojtjen e territorit të anëtarëve të vet. Por, siç po shihet në Afganistan, ka gjëra që mund të bëhen më mirë, për shembull, financimi i operacioneve është çështje që duhet të analizohet në shumë aspekte. Pra, në përgjithësi ndarja e rreziqeve dhe e çmimeve”.

“Mendoj se Libia tregon se ndonjëherë Shtetet e Bashkuara, ndoshta dëshirojnë të mbeten paksa prapa, kur janë të involvuara në dy luftëra të tjera, si tash në Irak dhe Afganistan. Po ashtu, Evropa duhet të jetë e aftë të veprojë në afërsi të saj, në mënyrë që debakli në Ballkan, të mos përsëritet kurrë”, thekson Radosllav Sikorski, ministër i Jashtëm i Polonisë.

Duke folur për çështjen e zgjerimit të Bashkimit Evropian, ai veçon Kroacinë.

“Ne shpresojmë ta nënshkruajmë marrëveshjen për pranim me Kroacinë, pasi puna në Ballkan nuk ka përfunduar ende. Sa i përket zgjerimit të mëtejmë, mendoj se vendet që synojnë anëtarësim, do t’i kryejnë shumë punë shtëpiake, kështu që kur gatishmëria në Evropë të ndryshojë në favor të zgjerimit, ato do të jenë më të përgatitura se sa që janë sot”, thotë Radosllav Sikorski, ministër i Jashtëm i Polonisë, vend ky që prej 1 korrikut e merr presidencën e radhës të Bashkimit Evropian. (f.b.)
XS
SM
MD
LG