Ndërlidhjet

logo-print

Veteranët e UÇK-së pa përgjigje nga institucionet




Gjendja shëndetësore e veteranëve të UÇK-së, të cilët tash e 21 ditë janë në grevë, po përkeqësohet. Ata vazhdojnë të këmbëngulin në kërkesën e tyre për përshpejtimin e miratimit të Ligjit për veteranët e UÇK-së. Ndonëse ditë më parë kishte paralajmërime se draft-ligji për veteranët e UÇK-së ka arritur në Kuvendin e Kosovës, këtë e mohon Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.


Greva e rreth 100 veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po vazhdon tash e 21 ditë, ndërkaq ata ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje zyrtare nga institucionet e Kosovës lidhur me kërkesën e tyre për përshpejtimin e ligjit për veteranët e UÇK-së.

Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së dhe anëtar i Këshillit të grevës, thotë se gjendja shëndetësore e grevistëve po përkeqësohet edhe më shumë dhe kjo ka qenë arsyeja e ndërprerjes së grevës së urisë, në të cilën kishin hyrë 7 grevistë.

“Në grevë gjenden rreth 100 veteranë të luftës. Gjendja shëndetësore e tyre është e keqe, pothuajse në përgjithësi. Katër nga grevistët i kemi larguar për arsye se kanë qenë me gjendje të rëndë shëndetësore. Një prej tyre është me gjendje shumë më të rëndë sesa ata tre të tjerët. Ky edhe ka qenë shkaku për ndërprerjen e grevës së urisë nga ne, si veteranë të luftës”, bën të ditur Qeriqi.

Përkeqësimin e gjendjes shëndetësore e pohon edhe Bajram Selmanaj, njëri prej grevistëve, por ai thotë se nuk do të tërhiqet nga greva protestuese pa plotësimin e kërkesës së tyre.

“Ne jemi të vendosur që deri në realizimin kërkesave tona të qëndrojmë këtu, para Qeverisë dhe le ta shohin që jemi të vendosur, sepse ky ligj ka merituar që i pari të bëhet dhe të realizohet. Këta e kanë lënë të fundit dhe e kanë sjellë gjendjen që luftëtarët, që kanë dhënë edhe gjymtyrët, kanë sakrifikuar, sot të vijnë dhe t’i mbrojnë vlerat e luftës”, thotë Selmanaj.

Ngjashëm shprehet edhe grevisti tjetër, Faik Gërbeshi:
Kanë shkuar 12 vjet dhe institucionet tona nuk kanë qenë në gjendje që ta miratojnë një ligj të mirëfilltë për mbrojtjen e vlerave të luftës...


“Kërkesat tona janë të drejta. Kanë shkuar 12 vjet dhe institucionet tona nuk kanë qenë në gjendje që ta miratojnë një ligj të mirëfilltë për mbrojtjen e vlerave të luftës. Unë, sa di dhe sa kam lexuar, dhe kam lexuar goxha shumë, nuk kam vërejtur askund në botë që ka ndodhur që edhe pas 12 vjetësh të mos jenë në gjendje të miratojnë një ligj për mbrojtjen e vlerave të luftës. Askund në botë nuk ndodh kështu, vetëm te ne. Kush është fajtor këtu? Dihet, institucionet tona”.

Në anën tjetër, 13 ditë më parë, zyrtarët e Kuvendit të Kosovës nga Komisioni Parlamentar për Legjislacion, patën deklaruar për Radion Evropa e Lirë se draft-ligji për veteranët e UÇK-së ka arritur në Kuvend dhe se shpresojnë që “gjatë qershorit do të bëhet leximi i parë i draft-ligjit, në mënyrë që brenda periudhës dymujore, nëse nuk ka shumë ndryshime apo amendamentime, të kalojë edhe në Parlament”.

Por, Glauk Konjufca, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, po ashtu thotë për Radion Evropa e Lirë se draft-ligji për veteranët e UÇK-së nuk ka arritur në Kryesinë e Kuvendit.
Për aq sa jam i informuar unë, në kryesinë e Kuvendit të Kosovës nuk ka ardhur kurrfarë draft-ligji i tillë dhe me sa duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në Komision.


“Për aq sa jam i informuar unë, në kryesinë e Kuvendit të Kosovës nuk ka ardhur kurrfarë draft-ligji i tillë dhe me sa duket një gjë e tillë nuk ka ndodhur as në Komision ( Parlamentar për Legjislacion). Kështu që, unë mendoj se kjo ndoshta mund të jetë vetëm një paralajmërim se do të mund të ndodhë. Aktualisht, në kohën kur jemi duke folur, tash për tash, nuk ka diçka të tillë”, deklaron për Radion Evropa e Lirë Glauk Konjufca.

Ndryshe, Qeriqi thotë se janë të zhgënjyer dhe të turpëruar nga institucionet e Kosovës, për shkak se ato ende nuk ua kanë dhënë asnjë informacion zyrtar lidhur me atë se çfarë po ndodh me ligjin, për përshpejtimin e të cilit ata po bëjnë grevë.

“Sot është 12-vjetori i çlirimit të Kosovës. Ne, si veteranë të luftës, e ndjejmë veten sikur të turpëruar nga institucionet e Kosovës. E ndjejmë veten si të vrarë në shpirtin tonë nga institucionet e Kosovës, për arsye se është një ditë feste për popullin tonë, e fatkeqësisht ne jemi këtu. Do të thotë, nuk kemi asnjë përgjigje nga ta, se përse nuk po miratohet (ligji) ose të na jepet një afat se do të miratohet. Kështu, e ndjejmë veten shumë të zhgënjyer me punën që po e bëjnë në raport me ne”, thekson Qeriqi.

Sido që të jetë, grevistët theksojnë se nuk do të tërhiqen nga greva, derisa kërkesa e tyre të plotësohet, pavarësisht nëse kjo çështje do të zgjasë edhe me muaj të tërë.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG