Ndërlidhjet

Puna sezonale s’e zbut papunësinë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kosova vazhdon të përballet më shkallë të lartë të papunësisë, ndërsa mundësitë për rritjen e numrit të të punësuarave janë shumë të vogla. Kështu thonë përfaqësues të punëtorëve. Si alternative ata konsiderojnë punësimin sezonal, për derisa zyrtarë të qeverisë, e quajnë sfidë realizimin e këtij procesi.


Në pamundësi të krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë, autoritetet kompetente duhet të gjejnë forma alternative të punësimit, siç është punësimi sezonal jashtë shtetit, thonë përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Nënkryetari i kësaj sindikate, Xhafer Xhaferi, thotë se arritja e marrëveshjeve eventuale me shtete evropiane për punësim sezonal, për një periudhë të shkurtër, do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike dhe në zbutjen e papunësisë te një numër i qytetarëve.


Sipas Xhaferit, në këtë drejtim mungon angazhimi i institucioneve kompetente.

Do të duhej më tepër angazhim. Unë besoj se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale do të duhej të lidhë aranzhmane me shtetet përreth, ku ka nevojë dhe ka mundësi për punësim të punëtorëve dhe të gjendet një zgjidhje e përkohshme, që së paku të zbutet papunësia”, shprehet Xhaferi.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë thonë se punësimi sezonal është një proces shumë vështirë, i cili kërkon përmbushjen e shumë kritereve. Behxhet Gaxhiqi, nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, e quan sfidë realizimin e këtij procesi.

Sa i përket çështjes së punimit sezonal, është një sfidë jashtëzakonisht e vështirë për t'u realizuar, sidomos për faktin se këtu kërkohet një numër i atyre vendeve që e pranojnë fluksin e atyre punëtorëve dhe duhet të parashtrohet kërkesë se a kanë më të vërtetë nevojë për profil të atyre punëtorëve, që ata të shkojnë në vende të jashtme, sidomos në perëndim”, thotë Gaxhiqi

Gaxhiqi tregon se tash e disa vjet zbatohet një marrëveshje me shtetin gjerman për punësim sezonal të studentëve kosovarë.

Edhe pse ky program do të zbatohet edhe gjatë këtij viti, Gaxhiqi thotë se ende nuk dihet numri i saktë i studentëve që do të fitojnë nga ky projekt.


Vitin e kaluar, numri i studentëve kosovarë që kanë punuar në Gjermani gjatë pushimeve verore ishte 300.

Për vetë faktin se është lejuar vetëm për studentë, sepse është dhënë një garanci shumë e fuqishme që ata, për periudhën 2-3 mujore do të ndjekin ndonjë punësim. Kështu që ata japin garanci, sepse ata janë në studime në Kosovë dhe do të kthehen”.

Ndërsa, nëse shikojmë këndin tjetër, nëse dërgohen punëtorë të fushave të ndryshme, atëherë do të jetë shumë më vështirë që të kemi garanci të fuqishme në këtë drejtim”, shpjegon Gaxhiqi

Sipas hulumtimeve të fundit të bëra nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, thuhet se norma e papunësisë në Kosovë ka arritur në 48 për qind, ndërsa shkalla e të punësuarave sillet rreth 26 për qind.
XS
SM
MD
LG