Ndërlidhjet

logo-print

Erdogan premton konsensus politik

  • RFE /RL

Rexhep Taip Erdogan

Rexhep Taip Erdogan

Rexhep Taip Erdogan mori një rol të dyfishtë, si ndërtues i konsensusit dhe si kryeministri më i suksesshëm modern i Turqisë, pasi që partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), fitoi afër 50 për qind në zgjedhjet e përgjithshme.

Por, rezultatet tregojnë se Erdogani nuk mund të ketë dy të tretat e shumicës parlamentare, që i nevojiten për ta ndryshuar Kushtetutën e Turqisë, e cila ishte shkruar pas puçit ushtarak të vitit 1980.

AKP-ja fitoi 326 ulëse në Kuvendin 550 anëtarësh, duke mos mundur për pesë ulëse të fitojë edhe shumicën prej dy të tretave.

Kryeministri besohet se kishte planifikuar që të krijojë një sistem presidencial, në të cilin ai do të zgjidhej president, për të forcuar edhe më pushtetin e tij.

Në vend të kësaj, ai e gjeti veten në rolin e pamësuar të ndërtuesit të konsensusit, një përgjegjësi, që ai insistoi se do ta zbatojë:

“Populli ynë jo vetëm që na ka dhënë shansin të udhëheqim, por po ashtu na ka dhënë mision për një kapitull të ri. Populli na dha mesazhin për ndërtimin e një kushtetute të re, përmes konsensusit dhe negocimit”, tha kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

Ai theksoi se Kushtetuta do të jetë ajo që do t’i shërojë ndasitë etnike dhe sekulare të Turqisë.

“Do të hartojmë një Kushtetutë të re, që i bën bashkë të gjitha anët e shoqërisë. Secili do ta gjejë veten në këtë Kushtetutë. Lindja do ta gjejë veten. Perëndimi do ta gjejë veten”, theksoi Erdogan.

Roli i ndërtuesit të konsensusit mund të mos i rrijë mirë Erdoganit, i cili është akuzuar për tendencat autoritative dhe autokratike.

AKP-ja që i ka rrënjët në islamin politik, po ashtu është akuzuar në të kaluarën se ka kërkuar të minojë Kushtetutën sekulare të Turqisë dhe për pak ka shpëtuar nga shuarja prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2008.

Rritja e votave, është arritur pavarësisht rritjes edhe të partisë kryesore opozitare, Partisë Republikane të Popullit, e cila ka marrë 26 për qind- rezultati më i mirë në 30 vjetët e fundit.

Edhe Partia për Veprim Kombëtar (MPH), duket se nuk është prekur nga skandali seksual me kasetat, që çoi në dorëheqjen e 10 parlamentarëve gjatë fushatës.

Kjo parti mori vetëm një për qind më pak, duke fituar 13 për qind.
Ndërkaq, partia pro-kurde, Partia për Paqe dhe Demokraci (BDP), nuk ka arritur të kalojë pragun prej 10 për qind për të hyrë në Parlament. Por, ka siguruar 35 ulëse nga kandidatët e pavarur.

Përveç Kushtetutës, mandati i tretë i Erdoganit duket se do të dominohet nga çështja kurde - ndërkohë që disa vëzhgues tërheqin vërejtjen për ringjalljen e konfliktit, i cili nga vitit 1984 deri më tash ka lënë të vdekur 40 mijë njerëz, kryesisht kurdë të pjesës jug-lindore.

Si shenjë e një dhune potenciale, një bombë ka shpërthyer të dielën në mbrëmje, afër kufirit me Irakun, duke lënduar 11 persona, të cilët po festonin fitoren e kandidatëve kurdë.

Xhengiz Aktar, profesori studimeve të BE-së në Universitetin Bahçesegir të Stambollit, thotë se suksesi i partisë pro-kurde është i mirëpritur, por, sipas tij, e tëra do të varet nga vullneti i Erdoganit për kompromis.

“Është mirë që partia kurde, përmes kandidatëve të pavarur, ka mundur të fusë në Parlament më shumë deputetë se në legjislaturën e kaluar. Ky është përfundimisht një aset për dialogun në të ardhmen. Por, dialogu nuk varet vetëm nga ta. Dialogu varet kryesisht nga zoti Erdogan, nëse do të pranojë që ulet në tavolinë”, vlerësoi Aktar.

Partia për Paqe dhe Demokraci pati nisur një fushatë të mosbindjes qytetare në muajin mars, e cila dukej se ishte e mbështetur nga Abdullah Oxhalan, lideri i partisë së jashtëligjshme, Partia e Punëtorëve të Kurdistanit. Oxhalan mbahet në një burg në një ishull në jug të Stambollit që nga zënia e tij në vitin 1999.

BDP-ja tha se qëllimet e saj janë që të sigurojë arsimim për kurdët, që të ulë pragun parlamentar, lirimin e të burgosurve politikë dhe që t’u japë fund operacioneve ushtarake kundër PKK-së. BDP kërkon autonomi për provincat të banuara kryesisht me kurdë. Por, çështje kryesore është përdorimi i gjuhës kurde në jetën publike. (a.i.)

XS
SM
MD
LG