Ndërlidhjet

Përplasen rreth rolit të FSK-së


Forcat e Sigurisë së Kosovës

Forcat e Sigurisë së Kosovës

Kosova rrezikon të rrëshqasë kah diktatura, ka tërhequr vërejtjen opozita në Prishtinë. Një memorandum ende i papërfunduar, ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Forcës së Sigurisë, me të cilin thuhet se parashiheshin kompetenca policore për FSK-në, ka qenë shkas i ashpërsimit të kritikave të opozitës ndaj qeverisë.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi i ka cilësuar këto qëndrime të opozitës, përkatësisht LDK-së, si kualifikime të ulëta që nuk kanë të bëjnë me realitetin.
FSK-ja duhet të transformohet në ushtri të mirëfilltë në një periudhë sa më të afërt

Ishte Gazmend Muhaxheri, shef i ekipit për siguri në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ai i cili gjatë një konference për media ka thënë se veshja eventuale e FSK-së me detyra nga fusha e rendit dhe ligjit janë të pamatura, të rrezikshme dhe të dëmshme për demokracinë e re të Kosovës. Në vend se FSK-ja të marrë detyra policore, ajo do të duhej të shndërrohej në Ushtrinë e Kosovës, ka thënë Muhaxheri.

Organizatat ushtarake ekzistojnë për të zbatuar funksione krejtësisht tjera nga ato që parashihen për policinë. FSK-ja duhet të transformohet në ushtri të mirëfilltë në një periudhë sa më të afërt. Sidoqoftë me memorandumin në fjalë jo vetëm se limitohen synimet e FSK-së për t’u shndërruar në një ushtri, pasi që roli dhe obligimet ushtarake janë mënjanuar fare nga ky memorandum i mirëkuptimit, duke e shndërruar në detyra policore”, ka theksuar Muhaxheri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ka thënë se nuk kishte ndonjë koment të veçantë për këto kualifikime të opozitës, të cilat ai i ka cilësuar si shumë të ulëta.

Ajo është çështje e tyre, janë shumë të ulëta dhe nuk i komentoj fare këto gjëra. Ne e kemi sqaruar qartë se ka qenë një iniciativë e FSK-së dhe jemi marrë vesh që grupi punues ta ri-draftojë (memorandumin), edhe për mua ka marrë fund ky kapitull atë ditë kur kemi qenë në Komisionin për siguri dhe punë të brendshme të FSK-së, dhe unë më nuk merrem me deklarata”, ka potencuar Rexhepi.

Bajram Rexhepi
Ndërsa ministri Rexhepi është treguar i prerë se grupi punues do ta ri-draftojë këtë memorandum dhe se asgjë ende nuk është përfundimtare sa i përket këtij dokumenti, opozita ka kritikuar Qeverinë edhe për mosbashkëpunim me EULEX-in në pjesën veriore të Kosovës.

Gazmend Muhaxheri ka apostrofuar sidomos disa deklarata të ministrit Bajram Rexhepi në lidhje me punën dhe angazhimin e EULEX-it në veri të Kosovës. Ai ka thënë se LDK-ja mbështet angazhimet politike dhe jo përdorimin e forcës në veri.

Shqetësuese janë, po ashtu, edhe deklaratat joserioze dhe të përsëritura të ministrit të Brendshëm Rexhepi lidhur me punën e EULEX-it dhe KFOR-it në veri të Kosovës. Deklaratat e tilla të pamatura dëmtojnë raportet dhe bashkëpunimin e institucioneve të vendit me misionet ndërkombëtare dhe dëshmojnë jo-seriozitetin në punë të udhëheqësve të këtyre institucioneve”, ka theksuar zyrtari i LDK-së.

Çështja e raporteve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës është trajtuar edhe nga Komisioni për Siguri i Kuvendit të Kosovës, i cili ka kërkuar që ministritë përkatëse t’i përmbahen Kushtetutës, ku thuhet se FSK-ja do të jetë e dizajnuar dhe e përgatitur për t'i përmbushur funksionet e sigurisë që nuk i përkasin policisë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG