Ndërlidhjet

Referendumet-goditje e sërishme për Berlluskonin


Një numër i madh i votuesve italianë i kanë dhënë të hënën një goditje të rëndë kryeministrit, Silvio Berlluskoni, duke përmbysur ligjet e miratuara nga qeveria e tij lidhur me ringjalljen e energjisë bërthamore, privatizimin e furnizimit me ujë dhe ndihmën ligjore për ta mbrojtur atë nga ndjekjet penale, bëri të ditur AP-ja.

Disfata e së hënës është e dyta me të cilën ballafaqohet Berlluskoni javëve të fundit pas humbjeve të kandidatëve të tij në balotazhin për Millanon dhe Napolin.

Lideri i opozitës së qendrës së majtë, Pier Luigji Bersani, tha se rezultatet çojnë në “një divorc ndërmjet qeverisë dhe shtetit”

Aktivistët të cilët lobonin për votën “pro” në katër referendumet shpërthyen në brohoritje në kryeqytetin italian kur u bë e qartë se pjesëmarrja e votuesve prej 57 për qindësh e kishte tejkaluar kuorumin e nevojshëm për të vërtetuar vlefshmërinë e votave.

Me këtë votim, për herë të parë që nga viti 1995, thuhet se është arritur kuorumi prej më shumë se 50 për qindëshit të nevojshëm.

Rezultatet treguan se mazhoranca, qartazi, ka vendosur të heq ligjin për privatizimin e furnizimit me ujë, atë për ringjalljen e energjisë bërthamore dhe legjislacionin me të cilin liderit italian do t’i mundësohej një mbrojtje ndaj ndjekjeve penale.

Secili referendum kaloi me një mazhorancë prej më shumë se 95 për qindësh nga shumica e votave të numëruara.

Pas Gjermanisë, Italia bëhet shteti i dytë nga Grupi i të Tetëve që heqë dorë nga energjia bërthamore pas tërmeteve dhe cunameve që goditën Japoninë në muajin mars.

Gjermania ka paralajmëruar, muajin e kaluar, se deri në vitin 2022 do të braktis planet e veta bërthamore.
XS
SM
MD
LG