Ndërlidhjet

Rihapen kutitë për Tiranën


Fotografi nga zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri...

Fotografi nga zgjedhjet e 8 majit në Shqipëri...

Kolegji Zgjedhor ka marrë vendim për ankesën e Partisë Socialiste lidhur me rezultatin e Tiranës që shpall fitues Lulzim Bashën.

Vendimi është marrë në mesnatën e 13 qershorit dhe urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të hapë të gjitha kutitë për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit për një rinumërim të votave të kontestuara.

Në pritje të zbardhjes së vendimit të Kolegjit, i cili sipas ligjit duhet që brenda tri ditësh të japë arsyetimin ligjor ku bazoi dhe vendimmarrjen, mbetet ende për t’u sqaruar nëse rinumërimit do t’i nënshtrohen vetëm votat e hedhura në kutinë e gabuar, për të cilat Komisioni Qendror Zgjedhor përdori termin si vota të panumëruara apo të gjitha votat e kontestuara.

Pritet që procesi i rinumërimit të përfshijë mbi 80 për qind të qendrave të votimit në Tiranë, nga 485 gjithsej.


Analistët, me mendime të ndryshme

Ndërkohë, analistët shprehin qëndrime të ndryshme lidhur me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, që urdhëron Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të hapë të gjitha kutitë për kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit për një rinumërim të votave të kontestuara.

Analisti Sokol Balla e cilëson dështim të sistemit të drejtësisë që legjitimoi, sipas tij, një procedurë antiligjore duke përmbysur rezultatin në tavolinë.

“Nuk e di për çfarë disa gjykatës të zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk arrijnë dot të perceptojnë atë që percepton çdo shqiptar i thjeshtë se çka ka ndodhur me këtë proces zgjedhor. Madje, jo vetëm çdo shqiptar i thjeshtë, por edhe çdo ndërkombëtar ka konstatuar që procesi i numërimit të votave, ndryshimi i rezultatit në tavolinë dhe qëndrimi i Kolegjit Zgjedhor janë një turp për demokracinë shqiptare sot në vitin 2011”, thotë Balla.

Ndryshe, analisti Sami Neza thotë se Kolegji Zgjedhor vulosi një procedurë të ligjshme të KQZ-së, duke e pastruar këtë të fundit nga të gjitha dyshimet e paraqitura, qofshin dhe ndërkombëtare, se mbi çfarë baze ligjore u bë numërimi i votave të hedhura në kutinë e gabuar.

“Kolegji Zgjedhor në vendimin e vet të brendshëm nuk ka atakuar asnjë prej veprimeve që ka kryer KQZ-ja, pra nuk ka atakuar vendimin 709, i cili është një vendim thelbësor në punën e KQZ-së dhe që lidhet tërësisht me rezultatin që ka dalë prej këtij komisioni në funksionin e saj si KZAZ, për fitoren e Bashës me 81 vota përpara. Vetëm se këtij vendimi, Kolegji Zgjedhor ia bashkëngjit numrin e votave, të cilat do të dalin prej numërimit edhe prej 368 qendrave të votimit”, shprehet Neza.

Por, sipas Ballës, kjo vendimmarrje e Kolegjit, do të ketë një kosto për vendin:

“Mbrëmë vonë, Kolegji Zgjedhor zyrtarizoi diferencën prej 81 votash të Lulzim Bashës, pavarësisht të gjitha pritjeve të opinionit publik, pavarësisht të gjitha kritikave të ndërkombëtarëve lidhur me votat e hedhura gabim dhe votat e shtuara në kuti”.

“Po me siguri do të paguajmë kosto për këto. Besojmë që mbledhja e sotme në Bruksel në Parlamentin Evropian e delegacionit shqiptar dhe e përfaqësuesve të PE-së do të përfundojë sigurisht me nota jo thjesht negative, por jo kaluese për demokracinë shqiptare”.


Pavarësisht presionit të vazhdueshëm të opozitës, analisti Neza konsideron se Kolegji Zgjedhor zbatoi Kushtetutën.

“Presion politik ka pasur ndaj Kolegjit Zgjedhor, por jo nga ana e mazhorancës, por nga ana e opozitës. Opozita dhe kandidati i saj për Tiranën, Edi Rama, kanë kryer një presion të përditshëm verbal. Kolegji Zgjedhor i është përmbajtur Kushtetutës për të numëruar çdo votë dhe për të mos devijuar vullnetin e qytetarëve. Po, ndërkohë, ka kërkuar që të gjitha votat të numërohen ashtu siç dhe kishte kërkuar Partia Demokratike, por linte të kuptohej edhe Partia Socialiste në kërkesat e saj”, theksoi Neza.

Por, lidhur me atë se çka do ta pasojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor, analisti Sokol Balla thotë se nëse do të ketë protesta, këto tashmë duhet t’i drejtohen sistemit të drejtësisë.

“Një sistem drejtësie, i cili është krejtësisht nën kontrollin e Qeverisë dhe natyrisht kur është nën kontrollin e Qeverisë, këtu nuk është faji i Qeverisë, por i sistemit të drejtësisë. Nëse do të ketë protesta – nuk e di do të ketë apo jo - por do të ishte objektiv i gabuar nëse protestat do t’i drejtoheshin Qeverisë. Protestat duhet t’i drejtohen sistemit të drejtësisë, i cili është i marrë fund”, potencon Balla.

Kolegji Zgjedhor do të duhet të zbardhë brenda tre ditësh vendimin e tij çfarë do të qartësojë edhe bazën ligjore të kësaj vendimmarrjeje.

Pas kësaj do të futet në veprim KQZ-ja për të numëruar ato vota që janë hedhur në kutinë e gabuar, e që ndodhen në zarfet e votave të kontestuara.

Emri i fituesit, siç shprehet analisti Neza, me pak vullnet të mirë, do të zyrtarizohet brenda një muaji.

Por, një ankesë e mundshme e vendimmarrjes së KQZ-së nga PS-ja, sipas tij, mund ta shtyjë deri në fund të gushtit rezultatin për Tiranën, që mban “peng” edhe shpalljen zyrtare të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale të 8 majit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG