Ndërlidhjet

Bllokohet rezoluta e KS-së për Sirinë

  • RFE /RL

Refugjatë sirianë

Refugjatë sirianë

Po rritet presioni ndërkombëtar ndaj regjimit të presidentit sirian Bashar al-Asad për shkak të aksioneve brutale ndaj protestuesve anti-qeveritarë, ndërkohë që refugjatët që po lëshojnë vendin, flasin për një natyre sektare të dhunës.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka mbetur i bllokuar rreth një projekt-rezolute e cila do të dënonte Asadin dhe regjimin e tij.
Rusia dhe Kina, të cilat kanë veto në Këshillin e Sigurimit, kundërshtojnë projekt-rezolutën e paraqitur nga Britania, Franca, Gjermania dhe Portugalia.

Projekt-rezoluta nuk kërkon sanksione ose aksione ushtarake kundër Sirisë, por dënon regjimin e Asadit për aksionet e vazhdueshme dhe kërkon fillimin e bisedimeve mes qeverisë dhe protestuesve.

Kundërshtuesit e saj, thonë se kjo do të çonte në intervenimin ushtarak të Perëndimit në Siri, ngjashëm si ai kundër regjimit të liderit libian, Muamer Gadafit.

Rusia tha se është kundër çfarëdo rezolutë të OKB-së, që do ta dënonte Sirinë, sepse një lëvizje e tillë do ta përkeqësonte situatën në vend.

Aktivistët të grumbulluar në një grup në internet, i njohur si “Revolucioni i Sirisë”, kërkuan sot që të mblidhen para ambasadave ruse kudo në botë për të kërkuar ndryshimin e politikës së Moskës ndaj trazirave në Siri.

Dështimi për të arritur konsensus në OKB, vjen ndërsa qeveria siriane tha se forcat e saj po ndjekin “mbeturinat e bandave të armatosura” në malet afër Xhisr al-Shugurit.

Aktivistët thonë se forcat e armatosura të Sirisë, po vazhdojnë operacionet masive në provincën veriore të Idlibit, ku kanë vendosur tanke të shumta në qytete të ndryshme.

Sipas raporteve të aktivistëve të postuara në internet, dhjetëra tanke kanë arritur në qytetin e Marat al-Namanit. Këto raporte thonë se trupat janë vendosur edhe në lindje të Xhisr al Shugurit, përgjatë 30 kilometra të territorit deri në qytetin e Arihas.

Me gjithë aksionet e dhunshme mbi protestuesit dhe protestat kundërAsadit janë zhvilluar edhe gjatë natës në qytete të ndryshme në Siri, përfshirë Alepon, Daran, Homsin dhe vetë kryeqytetin, Damaskun.

Të dielën, trupat ushtarake të Sirisë, të mbështetura nga tanket dhe helikopterët, iu vërsulën Xhisr al Shugurit në një sulm, që sipas qeverisë, kishte në shënjestër bandat e armatosura, të cilat vranë 120 trupa të sigurisë në javën e kaluar.

Por, opozita, refugjatët, dhe grupet për të drejtat e njeriut, thonë se shumë nga të vdekurit, ishin ose civilë të vrarë nga forcat e sigurisë për shkak se kundërshtonin regjimin e Asadit, ose trupa siriane që janë vrarë nga kolegët e tyre, për shkak se kanë refuzuar të shtinë mbi civilët.

Refugjatet që ikën në Turqi pas sulmit të së dielës në Xhisr al Shugur thanë se disa trupat ushtarake po vazhdojnë të kundërshtojnë urdhrat dhe po luftojnë kundër besnikëve në mbrojtje të qytetarëve dhe pronave.

Një refugjat 35 vjeçar, i quajtur Abdullah, i ka thënë AFP-së, se ai ka parë katër tanke që kanë ndërruar anë dhe kanë shtënë në drejtim të trupave që po kryenin një fushatë kundër fshatrave dhe qyteteve në veri, të dominuar nga myslimanët sunitë.

Duke përshkruar aksionin e njëanshëm sektarian të ushtrisë, ai tha se trupat qeveritare nuk i preknin fshatrat ku shumica e banorëve janë anëtarë të minoritetit alauit, të cilit i takon dhe presidenti Asad.

Agjencia e lajmeve "Reuters", citon refugjatët tjerë, të kenë thënë se kanë parë anëtarë të frocave të sigurisë dhe sulmues të armatosur palavitë, besnikë të Asadit, të njohur si “shabiha’ të kenë plaçkitur shtëpitë dhe dyqanet në Xhisr al Shugur dhe në qytete tjera.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Mun tha se qeveria siriane ka kryer sulme të tmerrshme ndaj popullatës së saj.

Në Siri situata është shumë shqetësuese. Kjo luftë është përhapur përtej çdo sheshi, çdo fshati apo qyteti. Është përhapur në tërë vendin. Njerëzit po ngrenë zërin për ndryshime. Qeveria është përgjigjur me sulme të tmerrshme”, tha Ban Ki Mun.

Në Uashington, Shtëpia e Bardhë ka dënuar ashpër aksionin brutal të qeverisë siriane. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhei Kerni tha se presidenti Asad duhet të angazhohet në dialogun politik dhe duhet të hapë rrugën, nëse nuk udhëheq tranzicionin politik, duke zbatuar reformat e premtuara.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mark Toner tha se civilët e pafajshëm po vriten nga regjimi i Asadit. Ai, u tha gazetarëve se ajo që ka ndodhur në Sirinë veriore gjatë fundjavës dhe që po vazhdon të ndodhë është absolutisht neveritëse.

"Këto sulme ndaj civilëve të pafajshëm, duke përdorur helikopterë dhe tanke, e bëjnë shumë të qartë se Asadi nuk e ka ndërmend që të bëjë reforma. Ajo që mendoj se duhet bërë është që të punojmë me partnerët tanë evropianë, me partnerët tanë në rajon, dhe të fokusojmë vëmendjen në atë se çka po ndodh në Siri dhe t’ia bëjmë të qartë Asadit se ai duhet të ndalë abuzimin”, tha Toner.

Kombet e Bashkuara kanë tërhequr vërejtje se të paktën 10 mijë sirianë kanë ikur si pasojë e dhunës. Zëdhënësja e OKB-së për çështjet humanitare, Stefani Banket, tha se të paktën 5 mijë refugjatë gjenden në Turqi dhe 5 mijë të tjerë në Liban.

Agjencia turke e lajmeve, Anatolia, vlerësoi se 7 mijë sirianë kanë kaluar kufirin dhe gjenden në Turqi. Mijëra të tjerë janë mbledhur në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, të gatshëm që të kalojnë po qe se zonës i afrohen forcat siriane qeveritare.

Grupet për të drejtat e njeriut të Sirisë thonë se 1 mijë e 300 civilë janë vrarë që nga fillimi i kryengritjes. Ndërsa janë vrarë edhe më shumë se 300 ushtarë dhe policë.(a.i.)

XS
SM
MD
LG