Ndërlidhjet

Policia gjen armatim jugosllav në Shtërpcë



Policia e Kosovës ka konfirmuar konfiskimin e një sasie të madhe armatimi dhe municioni në fshatin Sevçe të komunës së Shtërpcës.

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në bashkëpunim të ngushtë me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt gjatë një operacioni policor ka gjetur dhe sekuestruar sasi të madhe municioni dhe armëve, thuhet në një komunikatë të Policisë së Kosovës.

Në këtë sasi armatimi përfshihen mitralozë kundërajror me të gjitha pajisjet përcjellëse, minahedhës, po ashtu me të gjitha pajisjet përcjellëse, municion për mitraloz kundërajror si dhe predha për minahedhës.

Armatimi dhe municioni thuhet se janë prodhim jugosllav.

I tërë ky municion i llojeve të ndryshme dhe armët janë gjetur në një objekt të pabanuar- mulli të ujit jofunksional në këtë zonë të banuar me shumicë serbe.

“Gjatë operacionit ka pasur reagime të banorëve të fshatit në shenjë pakënaqësie lidhur me zhvillimin e operacionit policor, mirëpo situata është menaxhuar mire dhe nuk ka pasur ndonjë incident”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Operacioni është mbështetur gjatë gjithë kohës nga Njësitë Speciale Operative, Njësia për Mbrojtje nga Eksplozivet dhe Njësiti i Krimiteknikës.
XS
SM
MD
LG