Ndërlidhjet

Times: Libia - thirrje për zgjim


 Anders Fogh Rasmussen
Anders Fogh Rasmussen

"Times"

Në një shkrim autorial, botuar në gazetën Times, sekretari i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, flet misionin ajror të NATO-s në Libi.


Nga Anders Fogh Rasmussen


Misioni ajror dhe detar i NATO-s në Libi, është angazhimi i parë ushtarak i madh që prej krizës globale financiare. Me reduktimet drastike që aleatët evropianë të NATO-s po u bëjnë shpenzimeve për mbrojtje, është rritur frika legjitime rreth asaj nëse këto vende janë ende në gjendje që t’u përgjigjen krizave të tilla.

Shpejtësia e paprecedentë, shkalla dhe ritmi i qëndrueshëm i ekzekutimit të operacionit “Mbrojtësi i Unifikuar”, është një shenjë që tregon diçka tjetër.

Operacioni ka treguar se shtetet evropiane, edhe pse shpenzojnë tani më pak për mbrojtje sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë aziatike, ato ende mund të luajnë rol qendror në operacionet ushtarake. Padyshim, pas SHBA-ve, Evropa ende e ka pozitën e forcës më të avancuar ushtarake të botës. Pyetja, megjithatë, është nëse Evropa do të jetë në gjendje që të mbajë këtë pozitë në pesë apo dhjetë vjet.

Kjo është shqetësuese kur kihen parasysh ndryshimet e vazhdueshme të fuqisë globale ushtarake, të mishëruara në rëniet relative të shpenzimeve të mbrojtjes evropiane në krahasim me atë të fuqive në zhvillim apo SHBA-ve. Derisa vendet evropiane janë pasuruar, ato kanë filluar të shpenzojnë më pak në mbrojtje.

Shumë vëzhgues, përfshirë edhe ata të rretheve qeveritare në të dy anët e Atlantikut, argumentojnë se sfida më e madhe e sigurisë, me të cilën përballet perëndimi është rritja e niveleve të borxheve në Evropë dhe SHBA.

Ata e kanë një qëndrim të drejtë, pasi nuk mund të ketë fuqi ushtarake pa para. Të tjerët argumentojnë se ka pak arsye për t’u shqetësuar nëse popujt evropiane investojnë më pak në mbrojtje, pasi kjo reflekton se Evropa është e tërë, e lirë dhe paqësore. Mirëpo, këto argumente dështojnë të marrin në konsiderim tri fakte të rëndësishme.

Së pari, fuqia ushtarake vazhdon të ketë rëndësi në gjeopolitikën e shekullit XXI. Sfidat e sigurisë, me të cilat përballet Evropa përfshijnë konfliktet në fqinjësinë e saj, siç është rasti me Libinë, terrorizmin nga shtetet e largëta, por që janë të dështuara, dhe kërcënimin në rritje siç është rritja e kapaciteteve të armatimit për shkatërrim masiv dhe lufta kibernetike.

E dyta, fuqitë e reja ekonomike dhe ushtarake, siç janë Brazili, Kina dhe India, po hyjnë në këtë fushë. Do të ishte e gabueshme që prania e tyre të shihet, thjesht, si një sfidë për perëndimin, apo të pretendohet se ato paraqesin kërcënim ushtarak. Këto shtete kanë pak interesim që të hedhin poshtë sistemin global, mbi të cilin është ndërtuar prosperiteti i tyre.

Evropa duhet ta mirëpresë atë që këto shtete mund të ofrojnë ushtarakisht për sigurinë ndërkombëtare.

Nëse Evropa është duke e krijuar një hapësirë boshe të sigurisë, atëherë këto fuqi munden, në teori, që ta reduktojnë këtë hapësirë. Megjithatë, kjo është pak vështirë që të ndodhë pasi interesat e tyre dhe ato të vendeve të perëndimit mund të mos jenë të njëjta dhe se nuk është e sigurt që fuqitë në rritje kanë qasje të njëjtë, sa u përket kërcënimeve të sigurisë.

Paradoksi, më pas, është që urdhri global shijon më shumë lojtarë se sa herëve të tjera dhe prapë se prapë ka shumë pak garantues. Evropa mbetet një nga këta garantues, mirëpo edhe për sa kohë?

E treta, partneriteti transatlantik mbetet motori kryesor i sigurisë globale. Ky partneritet ka qenë i suksesshëm në ndarjen e qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta, derisa ka nxitur forcat që të punojnë së bashku. Mirëpo, SHBA-të, po përballen me problemet e veta buxhetore dhe siç ka treguar edhe rasti i Libisë, Uashington nuk do jetë gjithmonë në krye të atyre që janë projektimi i fuqisë.

Zgjidhja e qartë për të gjitha këto probleme është që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtje. Mirëpo, duke e pasur parasysh ambientin ekonomik, është vështirë e mundshme që qeveritë evropiane do të bëjnë ndryshime të mëdha. Pra, mënyra për të ecur para nuk është për të shpenzuar më shumë, por për të shpenzuar më mirë.

Para së gjithash, Evropa ta çojë para të ashtuquajturën “Mbrojtje inteligjente”. Ky lloj i mbrojtjes ka të bëjë me ndërtimin e sigurisë me më pak para, duke punuar së bashku dhe duke u bërë më fleksibilë. Kjo do të thotë edhe inkurajim i bashkëpunimit multi-nacional. Derisa ka rritje edhe në çmimet e pajisjeve ushtarake, shtetet evropiane nëse veprojnë të vetme, mund të kenë probleme që të përballojnë armë të teknologjisë së lartë, siç janë armët që përdoren në Libi.

NATO-ja mund të shërbejë si një aleancë që sjell shtetet më afër njëra- tjetrës, duke identifikuar atë që këto shtete mund të bëjnë së bashku me shpenzime më të vogla, me më shumë efikasitet dhe më pak rrezik.

Sfidat ekonomike, me të cilat popujt e Evropës përballen, janë shumë të mëdha, mirëpo kjo nuk duhet të parandalojë që të shihet pamja e gjerë strategjike. Shkurtimet e pakoordinuara të strategjive mund të rrezikojnë sigurinë e kontinentit. Libia mund të merret si një thirrje për zgjim nga gjumi, mirëpo ky mision duhet të përcillet nga veprat. Duke e bërë mbrojtjen evropiane më koherente, duke i fuqizuar lidhjet transatlantike dhe duke rritur edhe lidhjet që ka NATO-ja me aktorët e tjerë globalë, është mënyra më e mirë të parandalohet që kriza ekonomike të kalojë në krizë të sigurisë.(a.i)
XS
SM
MD
LG