Ndërlidhjet

Arrestohen informatorët që e ndihmuan CIA-n


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

E përditshmja Nju Jork Tajms raportoi se agjencia kryesore ushtarake e spiunimit e Pakistanit, i ka arrestuar pesë informatorë pakistanezë, që e ndihmuan agjencinë amerikane, CIA, para ndërhyrjes së muajit të kaluar, nga e cila u vra Osama bin Laden.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara i thanë gazetës se ndër të arrestuarit përfshihet edhe një major i armatës pakistaneze, i cili i kishte kopjuar numrat e targave të veturave, që shkonin në kompleksin e bin Ladenit, në Abbottabad, disa javë para ndërhyrjes.

Në raport theksohet se drejtori i agjencisë CIA, Leon Paneta, çështjen e arrestit e ka ngritur kur ai ishte në Islamabad, javën e kaluar, për t’u takuar me oficerë ushtarakë dhe të inteligjencës në Pakistan.

Zoti Paneta, të cilin presidenti Barak Obama e ka caktuar që të jetë sekretar i ardhshëm i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, gjatë seancës së dëgjimit për nominim në këtë post, në Komitetin e Senatit për Shërbime të Armatosura, në Uashington, javën e kaluar, tha se vrasja e bin Ladenit do të duhej të ishte një rast për dobësimin e mëtejmë të rrjetit terrorist, me më tepër ndërhyrje dhe sulme ajrore me aeroplanë pa ekuipazh.
Leon Paneta

“Operacioni, nga i cili u vra Osama bin Laden, sipas pikëpamjes sime, nuk e ka bërë të qartë te bota vetëm se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që duhet të bëjnë, por po ashtu na ka dhënë rastin më të madh, pas 9/11, që ta shkatërrojmë, shpërbëjmë dhe ta mundim al-Kaidën”, tha Leon Paneta.

Por, në vend se ta kërkojnë rrjetin mbështetës, që i lejoi Osama bin Ladenit, të jetojë në mënyrë të qetë për disa vjet, afër Akademisë ushtarake kryesore në Pakistan, autoritetet në Islamabad, qartazi po i arrestojnë ata që i ndihmuan Shtetet e Bashkuara për të ndërmarrë aksionin e forcave speciale amerikane, të cilat e vranë bin Ladenin.

Kjo e ilustron atë që duket se është mungesë e kontaktit në rritje ndërmjet komuniteteve ushtarake dhe të inteligjencës së Pakistanit dhe Shteteve të Bashkuara.

Kongresisti i Shteteve të Bashkuara, Dan Burton, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, për Radion Evropa e Lirë ka folur lidhur me raportin e inteligjencës amerikane për rrjetin e bin Ladenit në Pakistan, të cilin e kishte parë.

Ne e dimë se njerëzit e dinin se Osama bin Laden ishte atje...

Ne besojmë se ka disa njerëz në Pakistan, që e kishin mbrojtur Osama bin Ladenin. Nuk e dimë saktësisht se sa lart ka shkuar kjo mbështetje. Ne e dimë se njerëzit e dinin se Osama bin Laden ishte atje. Qëllimi ynë është që t’i mundim al-Kaidën dhe talibanët. Sa i përket Pakistanit, ne ende kemi problem. I kemi pasur disa probleme, siç ishte Osama bin Ladeni. Por, ne duhet të punojmë me ta, ose të gjejmë mënyra për të punuar me ta, për ta zgjidhur problemin”, theksoi Dan Burton.

Raportohet se marrëdhëniet e Uashingtonit janë më tepër të tensionuara me ushtrinë e Pakistanit dhe me zyrtarë të inteligjencës se sa me Qeverinë e Pakistanit.

Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara thanë se agjencia ISI e Pakistanit, në përgjithësi, nuk kishte vullnet për të bashkëpunuar në operacionet e vëzhgimit për agjencinë CIA, kundër militantëve të dyshuar të al-Kaidës dhe talibanëve, prej muajit janar të këtij viti, kur një kontraktor i CIA-s vrau dy pakistanezë në qytetin Lahore.

Pas vrasjes së bin Ladenit, në fillim të muajit maj, ushtria e Pakistanit, po ashtu, ishte distancuar nga operacionet e inteligjencës dhe ato të kundër-terrorizmit të Shteteve të Bashkuara, kundër grupeve militante në Pakistan.

Presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, para disa ditësh, kishte insistuar se është në interes të Islamabadit për t’i luftuar militantët e al-Kaidës dhe talibanët, të cilët i kanë shtuar sulmet brenda Pakistanit, prej vrasjes së bin Ladenit.

“Ne nuk kemi nevojë që të jemi nën presion për ta luftuar ndokënd. Ne po e mbrojmë vetë Pakistanin. Kjo është luftë e Pakistanit dhe ne do të luftojmë. Ata janë armiq të Pakistanit. Ata janë njerëz, që po i vrasin fëmijët tanë, vëllezërit dhe motrat tona. Këta janë njerëzit që e vranë nënën e fëmijëve të mi. Pra, Pakistani po e bën luftën e vet”, tha presidenti Zardari.

Disa ligjvënës në Uashington, që janë të frustruar gjithnjë e më tepër, lidhur me akuzat se Pakistani ka luajtur lojë të dyfishtë me Uashingtonin, në luftën kundër terrorizmit, kanë kërkuar më tepër kufizime në ndihmën prej 2 miliardë dollarësh të ushtrisë amerikane, që i jepet Pakistanit për çdo vit. (f.b.)
XS
SM
MD
LG