Ndërlidhjet

Jordania i premton Kosovës lobim për njohje


Jordania do ta mbështes Kosovën në procesin e lobimit për njohje të reja, thuhet në një komunikatëtë Ministrisë së Puneve të Jashtme, ku raportohet për vizitën e ministrit Enver Hoxhaj në Mbretërinë e Jordanisë. Në Aman, Hoxhaj është pritur nga homologu jordanez, Nasser Judeh.

Ministri jordanez thuhet se e ka siguruar ministrin e jashtëm Hoxhaj se Jordania do ta mbështesë Kosovën në çdo fushë.

Pikë së pari, sipas tij, diplomacia jordaneze do të angazhohet në promovimin e shtetësisë së Kosovës në atë pjesë të botës, duke pasur parasysh se Jordania ka një ndikim shumë të fuqishëm në shtetet që e rrethojnë, disa prej të cilave ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Sipas komunikatës, ministri Judeh ka thënë se Mbretëria e Jordanisë do të shtrijë ndikimin tek shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën, për të avancuar qëndrimet e tyre dhe për të marrë sa më parë një vendim të tillë.

Njëherësh, ai pashprehur edhe interesimin për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Jordanisë dhe Kosovës në fushat e ekonomisë, arsimit, shkencës dhe teknologjisë.
Në anën tjetër, ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj thuhet se e ka informuar homologun në Aman edhe për proceset e rëndësisë së veçantë të cilat po ecin përpara në Kosovë, e veçanërisht proceset që kanë të bëjnë me shtetndërtimin e brendshëm, forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe avancimin e shpejtë të proceseve integruese në strukturat euroatlantike.

Dy ministrat janë dakorduar që të punohet një plan i veprimit mes dy shteteve dhe të nënshkruhen disa marrëveshje të bashkëpunimit mes institucioneve të dyja vendeve.
Gjatë këtij viti, Jordaninë pritet ta vizitoj edhe kryeministri Hashim Thaçi i cili pritet të shoqërohet nga disa ministra dhe përfaqësues të bizneseve kosovare.
XS
SM
MD
LG