Ndërlidhjet

Testi i maturës zbardh (jo)cilësinë e arsimit


Ekspertët e arsimit në Kosovë vlerësojnë se përqindja prej 42 për qind e maturantëve që kanë kaluar testin e maturës është e ulët, dhe kjo tregon jo-efikasitetin e sistemit të arsimit. Jonuz Salihaj, ekspert i arsimit vlerëson se edhe kjo përqindje është joreale. Ngjashëm vlerëson edhe Halim Hyseni nga Qendra për Arsim dhe Edukim, i cili thekson se ky rezultat duhet të jetë alarmues për ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Niveli i ulët i kalueshmërisë së testit të maturës tregon se cilësia e arsimit në Kosovë është e dobët. Kështu vlerësojnë njohësit e rrethanave të arsimit në vend. Sipas Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, vetëm 42 për qind prej rreth 26 mijë maturantëve, e kanë kaluar provimin me sukses.

Jonuz Salihaj, ekspert i arsimit, thotë se i ashtuquajturi vlerësim i jashtëm, siç është testi i maturës, e konfirmon që cilësia e arsimit është shumë e dobët dhe se duhet punuar shumë për ta ngritur këtë cilësi.

Rezultati prej 41.85 për qind e maturantëve që e kanë kaluar testin, është një argument i fortë se sistemi i jonë arsimor është shumë joefikas dhe joefektiv. Në të vërtetë, kalueshmëria prej afër 42 për qind nuk është e saktë, për arsye së ka pasur shumë parregullsi në menaxhimin e procesit të testimit.

Unë besoj se kjo do të duhej të jetë më e ulët së paku edhe për 10 për qind, sepse administrimi ka qenë shumë i keq. Nxënësit kanë kopjuar, madje ka pasur edhe përdorim të teknikës celulare dhe ka pasur aparate të tjera të sofistikuara për të kopjuar. Pra, ky rezultat është brengosës për cilësinë e arsimit në Kosovë”, thotë Salihaj.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim dhe Edukim, pohon se përqindja e maturantëve që kanë kaluar testin është më e ulët se sa përqindja të cilën zyrtarisht e ka dhënë Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës.

Sipas tij, shkaktar i këtij rezultati jo të mirë është vet sistemi i arsimit, i cili nuk është i avancuar dhe nuk organizon mësimdhënie mbi bazën e nevojave të nxënësve, të vijimit të teknikës dhe teknologjisë, në bazë të nevojave të shoqërisë kosovare. Hyseni ka theksuar se brenda vet kuadrit të sistemit, ekzistojnë shumë faktorë që kanë ndikuar në rezultatin e dobët të maturantëve.

Është personeli mësimor, i cili nuk është i motivuar, nuk monitorohet dhe nuk vlerësohet mbi bazën e përformancës. Faktori i dytë është se, në plan-programet e tashme, të cilat janë në arsim, në arsimin para universitar në përgjithësi, por edhe në arsimin e mesëm të lartë, janë jashtëzakonisht arkaike, të vjetruara, të ngarkuara dhe me dije të ashtuquajtura deklarative”.

Faktor i tretë është mungesa e teksteve, sepse për lëndët profesionale nuk ka asnjë tekst. Prandaj, mësimdhënësit janë të detyruar që t’i shpjegojnë njësitë mësimore si në mesjetë”, shprehet Hyseni.

Ndërkaq, Jonuz Salihaj thekson se testi i maturës vlerëson përgjithësisht shkollimin gjatë 12 ose 13 viteve që nxënësit e kanë kryer, në gjimnaz apo në shkollë profesionale, si dhe plan-programin, që sipas tij, nuk është adekuat.

Kurikuli jonë nuk është i mirë. Është kurikul i ngarkuar apo që merret më shumë me lëndë të dorës së dytë dhe që i kushton rëndësi lëndëve të tjera. Unë nuk po i kualifikoj se cilat lëndë janë të dorës së parë ose të dorës së dytë, por megjithatë, janë disa lëndë boshtore që faktikisht kontribuojnë më shumë në personalitetin e fëmijës dhe po ashtu në fondin e diturive që do ta ketë një fëmijë, pas shkollimit të mesëm të lartë”.

Ky është njëfarë vlerësimi për sistemin arsimor parauniversitar. Nuk është vetëm një vlerësim i thjeshtë dhe i jashtëm, i cili, po të mbahej dhe organizohej mirë, rezultati do të tregohej edhe më i ultë”, thekson Salihaj.

Halim Hyseni po ashtu ka kritikuar politikat e deritashme zhvillimore të arsimit, duke shtuar se rezultati i testit të maturës duhet të jetë një alarm për Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Vërtetë kjo gjendje është shumë shqetësuese. Unë mendoj që Ministria e Arsimit, tash duhet shumë seriozisht të ulet dhe të bisedojë, si dhe t’i ndërtojë politikat zhvillimore, të cilat do të arrijnë në klasë (shkollë). Deri tash, të gjitha ndryshimet, nuk kanë arritur në klasë, kanë mbetur dhe janë tretur rrugës”, thotë ai.

Ekspertët e arsimit kanë thënë se politikat e deritashme të arsimit nuk kanë arritur që të manifestohen në shkolla për shkak se në zbatimin e reformave në arsim, janë anashkaluar, siç thonë ata, bartësit kryesor, që janë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.
XS
SM
MD
LG