Ndërlidhjet

WP: Heshtje mbi Sirinë


Barak Obama - President i Amerikës
Barak Obama - President i Amerikës
"Washington Post"

Kanë kaluar katër javë që prej fjalimit të presidentit Barak Obama, përmes së cilit ai iu drejtua Lindjes së Mesme dhe “prioriteti kryesor” i administratës së tij është kundërshtimi i represionit të dhunshëm dhe përkrahja e tranzicionit demokratik në të gjithë rajonin, duke përdorur “të gjitha pajisjet diplomatike, ekonomike dhe strategjike që i kanë në dispozicion”.

Obama e përmendi Sirinë, ku regjimi i presidentit, Bashar al Asad, ka vrarë qindra protestues paqësor, duke përdorur “rrugën e vdekjes”.

“Qeveria siriane duhet të ndalojë së sulmuari demonstruesit dhe të lejojë protestat paqësore”, kishte deklaruar presidenti.

“Duhet të lë të lirë të burgosurit politik dhe të ndalojë arrestimet e padrejta. Duhet të lejojë monitorimin e të drejtave të njeriut që të kenë qasje nëpër qytet”.

Ndërsa sa i përket zotit Asad, “ai mund ta udhëheqë atë tranzicion” drejt demokracisë, “apo të largohet nga rruga”.

Pothuajse një muaj më pas, zoti Asad nuk ka bërë asgjë nga këto gjëra, në vend të kësaj, ai e ka eskaluar luftën kundër popullit të tij.

Gjatë fundjavës, një divizion elitë i ushtrisë ka realizuar një sulm të lartë në qytezën e Xhisr al Shugurit, duke detyruar popullatën e saj prej 50 mijë banorëve të largohet.

Turqia që gjendet afër, raporton se më shumë se 8,500 refugjatë e kanë kaluar kufirin e saj. Tankset siriane e kanë rrethuar qytezën e Marat al Numanit, me popullatë prej 100 mijë banorëve, si dhe dy qyteza të tjera në kufi me Irakun.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se numri i të vrarëve e ka tejkaluar shifrën e 1300 personave.

Duket e drejtë që të pyesim çfarë ka bërë zoti Obama si përgjigje ndaj premtimit të tij që të përdorë të gjitha “pajisjet” që administrata e tij i ka në dispozicion?

Përgjigja mund të përmblidhet në një fjalë: asgjë.

Ndaras prej një reference të kaluar në konferencën e 25 majit, presidenti nuk ka folur në publik për Sirinë që prej fjalimit të tij më 19 maj. Sanksionet amerikane ndaj regjimit të Asadit të aplikuara në kohën e fjalimit të Obamës, nuk janë shtuar.

Derisa Britania dhe Franca kanë bërë presion, pa sukses, për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit që e dënon represionin sirian, SHBA-të kanë qëndruar të tërhequra.

Qeveria franceze e ka adoptuar qëndrimin se regjimi i Asadit e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur Sirinë.

Mirëpo, administrata e Obamës, nuk e ka braktisur nocionin se diktatori mundet ende ta drejtojë Sirinë drejt demokracisë, pavarësisht se sa qesharake tingëllon kjo gjë.

Administrata e ka arsyetuar pasivitetin e saj duke thënë se nuk ka dëshirë që të jetë në pozitë udhëheqëse të aleatëve në rajon, dhe se shqetësohet nga pasojat që mund të ketë dështimi i një regjimi.

Mirëpo dhuna e Asadit që tani ka krijuar probleme serioze për Turqinë dhe Izraelin, të cilat dy herë janë përballur me inkursion në territorin e tyre nga Siria, pasi refugjatët palestinezë u orkestruan për një gjë të tillë nga regjimi i Asadit.

Aleatë të tjerë arabë të SHBA-ve, po e vëzhgojnë pasivitetin e zotit Obama me ankth.

Në fakt, zoti Obama e ka publikuar një politikë të qartë para katër javësh. Ai kishte thënë se SHBA do të përdorë të gjithë fuqinë e saj që të ndalojë represionin dhe të promovojë tranzicionin demokratik në shtete si Siria.

Ai ka thënë se fjalët e tij “mund të përkthehen në aksione konkrete”, megjithatë... ai ende nuk ka vepruar. (a.h.)
XS
SM
MD
LG