Ndërlidhjet

logo-print

Gordon: Beogradi të zgjidhë raportet me Kosovën


Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip H. Gordon, ka vlerësuar se dyert e Bashkimit Evropian nuk janë të mbyllura për Serbinë, por Beogradi duhet të zgjidhë çështjen me Kosovën dhe bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës.

“Në BE, një anëtar i ri, nuk mund të ketë raporte të pazgjidhura ose kufi të papajtueshëm me një shtet të rëndësishëm fqinj”, ka thënë Gordon, në intervistën e publikuar në faqen e internetit të mediumit serb, RTS.

Gordon ka ritheksuar se SHBA-të nuk mendojnë se kushtet për anëtarësim në BE duhej të ndryshojnë, duke shtuar se ato janë të qarta dhe të rrepta dhe se Komisioni do të vëzhgojë me kujdes përmbushjen e tyre.

“Ekziston edhe kërkesa për bashkëpunim të plotë mbi çështjen e krimeve të luftës. Është e vërtetë se me arrestimin e Ratko Mlladiqit është bërë një hap i madh, por duke qenë se Goran Haxhiq është ende në liri, nuk mund të thuhet se kjo çështje është përmbyllur tërësisht”, ka thënë diplomati amerikan.
XS
SM
MD
LG