Ndërlidhjet

Bisedimet për formimin e qeverisë


Ndërtesa e qeverisë maqedonase
Ndërtesa e qeverisë maqedonase
Në bisedimet për formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, jozyrtarisht bëhet e ditur se partia shqiptare që fitoi zgjedhjet, BDI-ja, kërkon pozicione më të favorshme, mbylljen e çështjeve të hapura dhe drejtimin e ministrive me peshë më të madhe. Derisa për rrjedhën e bisedimeve, partitë nuk japin detaje. Analistët në anën tjetër, thonë se kërkesat e BDI-së janë reale për shkak të forcës që ka ajo në Kuvend pas humbjes së shumicës absolute nga partia e kryeministrit Nikolla Gruevski.


Partitë fituese të zgjedhjeve të 5 qershorit, VMRO-DPMNE dhe BDI, nuk japin detaje rreth bisedimeve që po zhvillojnë për formimin e qeverisë së re, duke thënë se ato po zhvillohen në frymë konstruktive, si për ndarjen e posteve, ashtu edhe për rritjen e efikasitetit të punës së qeverisë.

Jozyrtarisht, nga partia shqiptare, thonë se gjatë bisedimeve kanë paraqitur kërkesa për pozicione më të favorshme në kabinetin e ri, si dhe arritjen e një marrëveshjeje paraprake për miratimin e një ligji gjithëpërfshirës për gjuhën shqipe, zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, mbylljen rasteve të Hagës dhe zgjidhjen e çështjes së emrit.

Nga BDI-ja, thonë se pas mbylljes së këtyre çështjeve të hapura, do të kërkojnë edhe ndarjen proporcionale të përgjegjësive në kabinetin e ri qeveritar, apo drejtimin e ndonjërës nga ministritë që konsiderohen më peshë më të madhe, siç janë, Ministria e Brendshme, e Punëve të Jashtme apo Ministria e Financave.

BDI, tashmë në opinion, ka plasuar edhe kërkesën për marrjen e postit të Kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë.

Pjesëtarët e VMRO-DPMNE-së nuk kanë komentuar pozicionet e këtilla në bisedime, ndërsa analistët thonë se kjo është rezultat i relacioneve të reja në Kuvend, ku VMRO-DPMNE më nuk ka shumicën absolute.

Tani, pasi nuk e ka këtë shumicë, konsideroj se partia shqiptare që bisedon me VMRO-në, ka pozicion më të fortë negociues, andaj është e mundur dhe reale që të kërkohen pozicione më të mira në ekzekutivin e ri. Edhe më parë, si në zgjedhjet e vitit 2008, partitë shqiptare kërkonin që të drejtonin ministri me relevancë më të madhe”, thotë Vllado Popovski, njohës i zhvillimeve politike dhe profesor universitar.

Analisti Naser Zyberi, thotë se kërkesat e BDI-së janë reale, jo vetëm për shkak të forcës që ka në Kuvend, por edhe për faktin se kërkesat e shqiptarëve janë të arsyeshme dhe ato duhet të realizohen.

Partia politike shqiptare do të jetë çelësi i formimit i qeverisë së ardhshme, do të jetë çelësi për aprovimin e të gjitha vendimeve që do të marrë parlamenti dhe çelësi i votëbesimit të qeverisë.

Kjo do të thotë se partia politike shqiptare, në këtë rast BDI-ja do të jetë në situatë shumë më superiore, madje që në start mund të imponojë pjesë të platformës së vet, që të shndërrohet në program të qeverisë dhe madje të zërë pozicione në ekzekutiv shumë më të volitshme se në mandatin e kaluar”, shprehet Zyberi.

Sa i përket kërkesës për mbylljen e çështjeve të hapura e në veçanti asaj që ka të bëjë me zgjidhjen e kontestit rreth emrit, Vllado Popovski nuk beson se BDI-ja do të ndryshonte rrënjësisht qasjen sa i përket kontestit me Greqinë, dhe këtë qëndrim e mbështetë në pozicionin e deritanishëm duke kushtëzuar me afate.

Kjo parti deri më tani ka qenë mjaft korrekte dhe ka treguar pjekuri në raport me zgjidhjen e çështjes së emrit, duke theksuar rolin e saj konstruktiv. Unë mendoj se një qasje të këtillë do të ketë edhe në të ardhmen. Pra, duke analizuar veprimin e deritanishëm të saj në qeveri nuk besoj në radikalizmin e kërkesave”, thotë Popovski.

Bisedimet mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kanë filluar ende pa u konstituuar Kuvendi i ri Maqedonisë, dhe ende pa iu ndarë mandati partive fituese nga ana e presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov. Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi duhet të konstituohet deri më 25 qershor, ndërsa qeveria e re duhet të formohet deri më 10 gusht.
XS
SM
MD
LG